Me 569 vota pro, Klodian Skënderaj zgjidhet kryetari i ri i dhomës së Avokatisë së Tiranës në zgjedhjet e mbajtura këtë të premte në ambjentet e piramidës në kryeqytet.
Në garë morën pjesë 8 kandidatë, mes të cilëve avokatët Lulzim Alushi, i cili mori 88 vota apo edhe Saimir Vishaj me 43 vota.
Nga 1910 anëtarë të regjistruar në degën e Tiranës në votim morën pjesë 774 avokatë.
Avokat Klodian Skënderaj ka përfunduar studimet në Itali, në universitetin e Gjenovës. Prej vitesh në Shqipëri është i dalluar sidomos në fushën akademike, si profesor në UT apo Shkollën e Magjistraturës, dhe me botimet e tij shkencore.
Skënderaj do të drejtojë Dhomën e Avokatisë së Tiranës për një mandat 4 vjecar, duke pasuar avokatin e mirënjohur Fatmir Brakaj i cili e ka mbajtur këtë post që prej vitit 2001.
Tetë kandidatët në garë ishin: ‘Klodjan Skënderaj, Lulzim Alushi, Saimir Vishaj, Edmond Petraj, Gentjana Qendro, Malvina Lika, Mirela Biba dhe Sonila Velo.’
Në procesin zgjedhor u votua edhe për organet e tjera drejtuese të Dhomës Vendore Tiranë.
Në zgjedhje mund të votonin dhe njëkohësisht të kandidonin vetëm ata anëtarë të dhomës të cilët janë pajisur me kartonin e avokatit për vitin 2026 dhe që nuk kanë papajtueshmëri ligjore me ushtrimin e profesionit të avokatit.





