Subscribe

Zgjedhjet në Maqedoni nxorën fitues LSDM-në shumicën e komunave përfshi edhe bastionet e përhershme të VMRO-DPMNE-së. Në Shkup dhe në 46 komuna të tjera epërsia ishte e dukshme që në raundin e parë zgjedhor. Në 34 komuna do të votohet në raundin e dytë që do të mbahet pas dy javësh më 29 tetor.

 

Ajo që surprizoi më shumë ishte rezultati i komunave me shumicë shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave rezultoi në balotazh. Votuesit shqiptare kanë qenë këtë herë në mënyrë të veçantë në vëmendjen e partive politike gjatë fushatës dhe në komunat e banuara prej tyre u premtua fort përmirësimi i infrastrukturës rrugore, rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve dhe kushteve të mjedisit.

 

Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhje ishte më e vogël se sa e maqedonasve. Gjithashtu shumë nga qytetarët e intervistuar pas votimit thonë se thjesht kanë ushtruar të drejtën e tyre, por nuk presin ndryshime nga këto zgjedhje.

 

Socialdemokratët udhëheqin në disa komuna, përfshirë Manastirin, si dhe disa komuna të Shkupit, ndërsa fitoren e kanë shpallur edhe në Komunën e Haraçinës, të banuar tërësisht nga shqiptarë.

 

Optimiste shprehet dhe BDI-ja e Ali Ahmetit, që gëzon sipas tij avantazhin në thuajse të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Ahmeti shpalli ndërkohë dy fitoret e para, në Kërçovë e Pllasnicë. Ndërsa ne Tetovë, Teuta Arifi ka marrë 13 265, një rënie me 5164 vota krahasuar me zgjedhjet e fundit të 2013-ës.

 

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, thotë se ka epërsi në Strugë. Lëvizja Besa, ndërkohë, në vlerësimin e parë për zgjedhjet ka folur për parregullsi të shumta gjatë procesit zgjedhor, për të cilat ka njoftuar dhe organet përgjegjëse, me qëllim procedimin e mëtejshëm.

 

Për parregullsi u ankua edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski. Procesi zgjedhor për zgjedhjen e pushtetit të ri lokal u zhvillua në 80 komuna dhe në Shkup, si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka 10 komuna.

 

Vëzhguesit ndërkombëtarë përmes një konferencë për shtyp u shprehen se ka përparime ne këto zgjedhje, por theksuan se çështja e pjesëmarrjes së grave në jetën publike nuk u trajtua në fushatë. Ata po ashtu theksuan se dy partitë më të mëdha dominuan në reklamimin me pagesë në mediat private.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *