Lulzim Basha trokiti në derën e ndërkombëtarëve shumë më shpejt sesa pritej. Nuk priti madje as që të thahet boja e re në hyrjen e pallatit të ambasadorit të OSBE, për të braktisur de facto dhe de jure “rrugën shqiptare” të zgjidhjes së krizës, e për t’iu drejtuar të huajve si ndërmjetësit e vetëm mes tij dhe Ramës.

“Gjatë 24 orëve të fundit jam njohur me angazhimin e miqve dhe partnerëve strategjikë për të ndihmuar Shqipërinë që të dalë nga kjo krizë e thellë, shkaktari i kësaj krize nuk është mjaftuar me kaq por përpiqet që këtë destabilizim ta shtrijë edhe në rajon. Iu kam komunikuar se e mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politikë me ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur këtë krizë dhe për t’iu kthyer shqiptarëve sovranitetin e marrë peng nga një qeveri ilegjitime dhe parlament ilegjitim”, deklaroi shefi i opozitës të martën, një ditë pasi kishte marrë dozën më të lartë të kritikës nga të huajt.

Megjithëse është përbetuar këto muaj se s’ka fare gisht në dhunën që gjenerojnë protestat e tij, kanë mjaftuar deklaratat e disa ambasadave në Tiranë, pak orë para protestës, që “grupi i molotovit” ta marrë një ditë pushim!

Kush e ka ndjekur trajektoren agresive të opozitës pas protestës së parë të 16 shkurtit, kujton fare mirë dy elementë të fjalorit politik të Bashës, pas djegies së mandateve parlamentare: së pari, që nuk do të dialogojë kurrë më me Edi Ramën dhe së dyti, që tashmë fjalën e ka populli dhe të tjerët (kupto ndërkombëtarët), duhet të heshtin.

Lulzim Basha është investuar kaq gjatë dhe kaq thellë në këtë linjë politike, ku bashkoheshin gjesti ekstrem i daljes nga sistemi me fjalorin e rëndë dhe kërcënues, saqë shumë shpejt ngriti rreth vetes një mur që i mori frymën atij më të parit. Basha dhe Kryemadhi patën rastin, pas muajit shkurt, të kuptojnë javë pas jave se e kishin futur veten në një qeli izolimi, prej nga besojnë edhe sot se do t’i nxjerrë vetëm çuarja e punëve në ekstrem. Tym, flakë dhe barut, vetëm që të dalë opozita nga pika e vdekur ku e futi veten me duart e saj! Ky është i vetmi lexim që mund t’i bëhet sot pozitës ku është futur projekti i rrëzimit të qeverisë përmes dorëzimit kolektiv të mandateve.

Që opozita do të ftonte dikur ndërkombëtarët për të ndërmjetësuar, ky ishte një film i parë. Gjatë tre muajve të Çadrës, në vitin 2017, deri pak ditë para marrëveshjes me Edi Ramën, Lulzim Basha vijonte të mbante përditë fjalimet e tij të klonuara, nga të cilat buronin vetëm sharje dhe kërcënime për kundërshtarin politik.

Më 17 maj e gjitha kjo ngrehinë u provua se kishte qenë një kështjellë në rërë. Ftesa për të ndërhyrjen e të huajve që po artikulohet sot, kur qorrsokaku i Lulzim Bashës është dhe më i thellë se dy vjet më parë, shënon plasaritjen e parë serioze të strategjisë për të rrëzuar Ramën me mandatet parlamentare.

Sepse ashtu si më 2017, të huajt që ndërmjetësuan krizën, e kishin dhe e kanë të qartë se ku qëndron problemi real i kolapsit. Duke u shprehur në mënyrë të përsëritur për të ruajtur institucionet e shtetit dhe zgjedhjet e lira, të huajt e kanë treguar tashmë korsinë mbi të cilën duhet të ecë negociata e ardhshme. Tani që Basha po thërret për ndihmë ata që deri dje i skendonte nëpër lista si “miq dhe klientë” të Edi Ramës, ai dhe opozita e kanë të qartë se po hyjnë në një procedurë, pas të cilës përbetimet e shkurtit mund të dalin të reduktuara thellë.

Sepse kur nuk ia arrite ta zgjidhësh këtë punë për tre muaj rresht me kutin e vjetër të Haxhi Qamilit (kur kam Peqinin dhe Shijakun, s’pyes për Londrën dhe Parisin), do të pranosh me ose pa dëshirë ofertën e “frëngut dhe inglizit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *