The Economist *

Pjesa e pasur e globit është në mes të një bumi të paprecedentë emigracioni. Vitin e kaluar, 3.3 milionë njerëz më shumë u shpërngulën në Amerikë sesa u larguan prej saj, pothuajse katër herë mbi nivelin tipik në vitet 2010.

Kanadaja pranoi 1.9 milionë emigrantë. Britania mirëpriti 1.2 milion njerëz dhe Australia 740,000. Në çdo vend ky numër ishte më i madh se kurrë më parë.

Për Australinë dhe Kanadanë, migrimi neto është më shumë se dyfishi i niveleve para-covid.

Në Britani pritja e emigrantëve është 3.5 herë më shumë se ajo e vitit 2019. Lëvizjet e mëdha të njerëzve kanë pasoja të mëdha ekonomike.

Sipas FMN-së, fuqia punëtore e lindur jashtë në Amerikë është 9% më e lartë se në fillim të vitit 2019. Në eurozonë, Kanada dhe Britani është rreth një e pesta më e lartë.

Rritja e emigracionit në Amerikë do të thotë se ekonomia e saj do të jetë 2% më e madhe gjatë dekadës së ardhshme nga sa ishte parashikuar. Fluksi i punëtorëve ndihmon gjithashtu në shpjegimin e rritjes së fortë ekonomike të vendit.

Por ndikimi i imigracionit shkon përtej një efekti aritmetik mbi PBB-në – ai shtrihet në inflacion, standardet e jetesës dhe buxhetet e qeverisë.

Dhe të ardhurit e fundit ndryshojnë nga ato të mëparshmet: Gjithnjë e më shumë prej tyre janë më pak të kualifikuar.

Shumë politikëbërës kanë argumentuar kohët e fundit se migrimi po ndihmon në frenimin e rritjes së çmimeve duke lehtësuar mungesën e fuqisë punëtore.

Nga ana tjetër, është e vërtetë që emigrantët kanë nevojë për mallra dhe shërbime sapo shkojnë diku dhe kjo rrit kërkesën.

Askund nuk është më e qartë kjo se sa në rastin e banesave me qira, të cilat janë të pakta në të gjithë anglosferën.

Hulumtimet nga Goldman Sachs, sugjerojnë se në Australi çdo rritje prej 100,000 në emigracionin vjetor neto rrit qiratë me rreth 1%.

Një dokument nga Banka e Kanadasë në dhjetor vuri në dukje se “rritja fillestare e imigracionit që ka përjetuar Kanadaja ka më shumë gjasa të jetë inflacioniste në afatshkurtër”.

Po ndikimi i imigracionit në rritjen ekonomike?

Edhe pse të ardhurit e rinj po e rrisin qartë PBB-në, ato duket se po e zvarritin PBB-në për capita—matësi me të cilin ekonomistët zakonisht vlerësojnë standardet e jetesës.

PBB-ja për person ka rënë ose nuk ka arritur të rritet për katër tremujorë radhazi në Australi dhe shtatë në Britani. Në Kanada, ku rënia e masës është më e theksuar, prodhimi për person ra me 2% në vitin 2023. E njëjta pamje është në Gjermani, Islandë dhe Zelandën e Re.

Kjo pasqyron një ndryshim në llojin e emigracionit.

Për shembull, ndërsa përpara pandemisë Covid-19, emigrantët në Amerikë kishin po aq gjasa të kishin një diplomë bachelor sa bashkëmoshatarët e tyre të lindur në vend, të ardhurit e sotëm kanë më shumë gjasa të kenë ecur nga pjesët e varfra të Amerikës Latine dhe nuk kanë të drejtën për të punuar ligjërisht. Rreth 2.4 milionë njerëz hynë në Amerikë vitin e kaluar duke kaluar ilegalisht kufirin jugor të vendit.

Vendet e tjera të pasura kanë më pak hyrje të paligjshëm, por edhe ata kanë parë rritjen më të madhe të emigracionit në mesin e atyre me aftësi që mungojnë dhe me pagë të ulët.

Prandaj, të mirëpresësh të ardhurit e rinj do të thotë shumë më tepër sesa thjesht t’i lejosh ata të hyjnë.

*Marrë me shkurtime

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *