Vija bregdetare e Durrësit ka qenë ndalesa e radhës për ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në vijim të inspektimeve në bregdet.
Kumbaro theksoi se me ndryshimin thelbësor të rregullores së plazheve, ku dyfishohen hapësirat publike, shtohen përgjegjësitë e institucioneve për mbarëvajtjen e sezonit.
“Plazhet publike nuk do t’i kemi në fillim apo në fund të Durrësit, por të ndërprera me qëllim që pushuesit të kenë mundësi t’i akesojnë në segmente të ndryshme, sepse është një vijë shumë e gjatë bregdetare. Nga ana tjetër, bashkëpunimi i Policë së Shtetit me Policinë Bashkiake dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit duhet të forcohet me qëllim që të mos lejohet zaptimi i plazheve, por edhe për sa i përket pastërtisë, sepse ka të bëjë me krimin mjedisor. Përveç banorëve, probleme ka edhe me bizneset, restorantet që i hedhin mbeturinat në vende të paparashikuara, prandaj policia duhet të jetë e vëmendshëm ndja këtyre gjesteve”, u shpreh Kumbaro.
Gjithashtu, Kumbaro tha se duhet ti kushtohet vëmendje kontrollit të mjeteve të paligjshme të turizmit detar për të shmangur incidentet.
“Do të jemi 24 orë në territor, por nuk mund t’ia dalim dot nëse nuk do të kemi bashkëpunimin e bizneseve dhe gjithë qytetarëve. Përveç pastrimit dhe evadimit të koshave, do të ketë dezinfektim dhe larje të vendeve ku grumbullohen mbetjet, të shëtitoreve, rrugëve, hapësirave publike dhe e kemi më të madhe punën sivjet për shkak të shtimit eksponencial të plazheve publike”, shtoi më tej ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Prej 15 qershorit ka nisur operacioni “Plazhe të Pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet 8 bashki në pastrimin e plazheve.
/vizionplus.tv





