Finalizohet pas dy muajsh hetime me metoda proaktive operacioni i koduar “Befasia 2”, i zhvilluar nga Policia e Korçës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë dy persona, të dyshuar për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen.
Në pranga kanë rënë H. C., 28 vjeç, banues në fshatin Bilisht, dhe Sh. D., 27 vjeç, banues në fshatin Eçemenik.
Sipas Policisë, shërbimet kanë lokalizuar dhe ndaluar në rrugën e fshatit Eçemenik automjetin me drejtues H. C. dhe pasagjer Sh. D. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të cilën dy të rinjtë dyshohet se kanë tentuar ta hedhin nga automjeti në momentin që janë afruar punonjësit e Policisë.
Kontrolli ka vijuar edhe në banesën e H. C., ku është gjetur një qese me fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Lënda e dyshuar narkotike, farat dhe automjeti janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korç.
/vizionplus.tv





