Nga Blerina Cene
Ndalohet celulari, ndalohet hyrja pa akreditim, ndalohet kamera. Këto janë vetëm disa nga kufizimet që Gjykata e Posaçme ka ndërmarrë përmes rregullores së re, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për transparencën mediatike.
“Publiku ka interes për çfarë ndodh në sallat e gjyqit, veçanërisht për individë që akuzohen për afera korrupsioni dhe duhet të mësojnë se cili është fati i përballjes së tyre me drejtësinë. Media duhet të jetë aty, sepse media nuk është aty për lëmoshë. Është pushteti i tretë, gjyqësori është pushteti i dytë”, tha Mentor Kikia, gazetar.
Në një kohë kur nga drejtësia e reformuar pritet të hidhet më shumë dritë mbi seancat vendimtare, Gjykata e Posaçme po bën hapa pas në mënyrë arbitrare.
“Kam ndjekur gjyqet e famshme të 1997 në Gjykatën e Tiranës, të ish-krerëve të Byrosë Politike të diktaturës komuniste, të cilët dolën në bankën e të akuzuarve. Asnjëherë dhe askush nuk ka tentuar që median ta nxjerrë jashtë”, u shpreh Kikia.
Rregullorja e re ka hasur edhe në kundërshtinë e mbrojtësve ligjorë. Kreu i Dhomës së Avokatisë së Tiranës, Klodian Skënderaj e konsideron ndalimin e celularit gjatë proceseve gjyqësore një cenim të punës së avokatit.
“Është një kufizim ekstrem. Aparati celular është mjet pune, është një studio lëvizëse. Ka domosdoshmëri të konsultohet me praktikën gjyqësore, që mund të lindë nevoja aty për aty”, tha Klodian Skënderaj, kreu i Dhomës Së Avokatisë, Tiranë.
Kufizimi është disproporcional, thotë avokati, pasi mbajtja e celularit nuk i ka kushtuar Gjykatës së Posaçme cenimin e solemnitetit. Skënderaj nënvizon se Gjykata nuk është këshilluar me ta, por janë vendosur përballë rregullores faktike.
“Ne nuk kemi asnjë lloj konsultimi apo marrje mendimi për sa i përket dispozitave të kësaj rregulloreje. Strukturat tona drejtuese të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë do të mblidhen dhe do të mbajnë një vendim të duhur duke kundërshtuar parashikimet kufizuese për ushtrimin e profesionit të avokatit”, tha Klodian Skënderaj.
Akreditimi i gazetarëve nga Gjykata e Posaçme u kërkon atyre të dhënat personale, edhe ky një problem më vete, pasi krijon vonesa dhe vështirësi artificial. Rregullorja po ashtu i jep kryesuesit të trupit gjykues kompetencë për të përcaktuar mediat që do të jenë prezente apo jo dhe detyron aktorët e saj të shpërndajnë pronësinë private të filmimeve.
View this post on Instagram
/vizionplus.tv





