Një prej emrave të njohur të historiografisë shqiptare, prof. dr. Muharrem Dezhgiu, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Instituti i Historisë, i cili shpreh hidhërimin për ndarjen nga jeta të historianit dhe u përcjell ngushëllimet familjarëve të tij.
Në njoftimin e saj, Instituti i Historisë vlerëson kontributin e tij në fushën e historiografisë shqiptare dhe përkushtimin ndër vite në studimin e historisë kombëtare.
Muharrem Dezhgiu lindi në fshatin Guri i Bardhë, në Mat, më 1 shtator 1944. Gjatë karrierës së tij, ai iu përkushtua studimit dhe shkrimit të historisë kombëtare, duke lënë pas një sërë botimesh dhe studimesh.
Ndër veprat e tij janë “Veprimtaria e shtetit të ri të demokracisë popullore (maj-nëntor 1944)”, “Shqipëria në luftë (1939-1944) – studime dhe refleksione”, “Anastas Lula – disidenti i parë në PKSH”, “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, në bashkautorësi, “Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943)” dhe “Shqipëria nën pushtimin gjerman (shtator 1943 – nëntor 1944)”.
Prof. dr. Dezhgiu ishte gjithashtu ndër autorët kryesorë të botimit madhor të Institutit të Historisë, “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, si dhe bashkautor i “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”.





