Subscribe

Ky është momenti i arrestimit të pesë personave, të akuzuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje kjo e ndodhur në fillimnëntorin e vitit 2019 te mbikalimi i Shkozetit.

 

4 persona te tjerë u shpallën në kërkim, ndërsa SPAK ka filluar procedurat me partnerët ndërkombëtare për të bërë të mundur ekstradimin e tyre.

 

Personat e vënë në pranga gjatë operacionit “Komploti” janë emra të njohur të botës së krimit. Bëhet fjalë për ish anëtarët e bandës së Durrësit: Bashkim Haxhija, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Akil Ndërjaku e Juljan Pjetri.

 

Edhe të shpallurit në kërkim janë personazhe shumë të njohur për policinë: Plarent Dervishaj, Ramazan Rraja, Julian Meçaj si dhe një person i identifikuar me inicialet A.SH.

 

SPAK ka mundur të identifikojë rolet e secilit prej personave nën akuzë për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku 30 vjeçar dhe u plagos rëndë vetë Ndoja si dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.

 

Gjatë kontrolleve në shtëpitë e personave të dyshuar policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë gjahu, 1 jelek antiplumb, 2 jelekë shpëtimi, dylbi, 5 automjete, 4 milionë lekë, 6 aparate celulare, 50 kontrata shit-blerjeje pronash, ora të shtrenjta si dhe dokumente.

 

Hetuesit dyshojnë se krimi në vitin 2019 erdhi për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale, kryesisht për pronat në Gjirin e Lalzit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *