Pallati i djegur në zonën e Farmacisë 10 do të rindërtohet plotësisht. Zëvëndëskryeministrja Albana Koçiu, gjatë një takimi me banorët e prekur nga djegia e pallatit I siguroi ata se për një muaj do të nisin punimet.
“Nuk jap dot afate për mbylljen e punimeve, pasi ende nuk është mbyllur hetimi. Askush nuk po neglizhon, po përpiqemi që gjëja të zgjidhet sa më shpejt. Duhet të kuptojmë shkakun nga se ka ardhur zjarri, se mund të ketë edhe përgjegjës. Besoj se për një muaj do të nisim me punimet për rindërtimin e pallatit”, tha Koçiu.
Numri dy i qeverisë dha lajmin se po shihet mundësia e bonusit të qirasë për akomodimin e banorëve.
“Do të marrim masat për një bonus qiraje që të akomodohen banorët. Po kryhen hetime për të nxjerrë kush është shkaku. Duhet të presim të shohim nëse ka përgjegjësi sociale. Do të jemi krah jush derisa të kthehet pallati në gjendjen e mëparshme”, tha Koçiu.
Më herët, ka reaguar Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se apartamentet do të rindërtohen tërësisht ndërsa u bëri thirrje qytetarëve për të siguruar banesat e tyre.





