Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 10 vjet heqje lirie për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.
Prokurori i SPAK, Dritan Prençi e akuzon atë për tri vepra, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Megjithatë në përfundim nëse shpallet fajtor dhe kërkesa e organit të akuzës pranohet, atij do t’i duhet të vuajë 6 vjet e 8 muaj burgim me gjykim të shkurtuar. Po ashtu SPAK kërkon që t’i ndalohet mbajtja e një funksioni publik për 5 vitet e ardhshme.
I pandehur është edhe ish-zyrtari Gentian Gjyli për të cilin u kërkua dënimi me 1 vit e gjashtë muaj burg vetëm për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Në total kërkohet një dënim prej 50 vitesh burgim për 21 të pandehur, mes të cilëve edhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave për kohën.
SPAK nisi hetim ndaj Berberit, për çështjen e shitjes së dy kompanive në vitin 2018, dhe dyshohet që transferoi fiktivisht para për të përfituar vetë.
Duke vendosur të tretë si pronarë të kompanive, konkretisht biznesmenin Valter Begaj dhe Ervis Lamin, SPAK thotë se hetimet vërtetuan se Evis Berberi vepronte në cilësinë e pronarit të shoqërisë “DAAM” sh.p.k, pasi ai interesohej edhe informohej për aktivitetin e shoqërisë, për klientët, furnitorët, detyrimet, punonjësit e shoqërisë si dhe merrte vendime për pagesat dhe faturat.
Biznesmeni Begaj po gjykohet i ndarë me procedurë të zakonshme.





