Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) ka ndërhyrë për prishjen e një banese të ndërtuar në mënyrë të paligjshme mbi një kanal të ujërave të larta në qytetin e Vlorës. Sipas autoriteteve, objekti në fjalë pengonte funksionimin normal të kanalit kullues, duke shkaktuar problematika të vazhdueshme, veçanërisht gjatë periudhave me reshje të dendura shiu.
Prania e kësaj ndërtese mbi kolektor kishte rritur ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në zonë, duke vënë në vështirësi banorët dhe infrastrukturën përreth. Situata të tilla janë përsëritur disa herë ndër vite, ku qyteti është përballur me përmbytje serioze, kryesisht si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese nga ndërtime të paligjshme.
IMT bën me dije se aksioni për pastrimin dhe çlirimin e kanaleve të ujërave të larta do të vijojë edhe në ditët në vijim. Qëllimi është rikthimi i funksionimit normal të rrjetit kullues dhe parandalimi i situatave të rrezikshme që mund të shkaktohen nga reshjet intensive.
Autoritetet theksojnë se ndërtimet e paligjshme mbi kanalet dhe kolektorët kanë qenë ndër shkaqet kryesore të përmbytjeve në qytet, duke sjellë pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe sociale. Për këtë arsye, strukturat përkatëse, përfshirë IMT dhe IKMT, janë të angazhuara në një plan të gjerë ndërhyrjesh për shembjen e këtyre objekteve dhe rikthimin e sigurisë për komunitetin.
Ky aksion synon jo vetëm zgjidhjen e problematikave aktuale, por edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e ligjit dhe shmangien e ndërtimeve të paligjshme në zona që rrezikojnë jetën dhe pronën e tyre.
/vizionplus.tv





