Katër të arrestuarit për zjarrin që shkrumboi pallatin me 12 kate të martën, u lanë të lirë.
Inxhinieri i kompanisë Arlis, Enver Ademi, Altin Furtuna, kontraktori i fasadës, Agron Cara, administrator i pallatit dhe menaxherja e marketit nga ku dyshohet se nisën flakët u lanë në detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore.
Dyshimet janë se flakët nisën te cepi I një marketi pas djegies së kartonëve. Mendohet se kanë qenë disa të mitur që kanë ndezur zjarrin i cili në vetëm pak minuta përfshiu gjithë pallatin.
Ekspertët ngritën alarmin për materialin e përdorur në fasdën e jashtme të pallatit që favorizoi flakët duke bërë që të depërtojnë brenda të paktën 30 apartamenteve.
Banorët të mbetur në mëshirë të fatit, bënë apel që të dëmshpërblehen pasi të gjitha kursimet e jetës së tyre i kishin shpenzuar për të blerë një apartament.
Shoqëria “Arlis Ndërtim” doli me njoftim zyrtar duke marrë përsipër rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe të të gjithë apartamenteve të dëmtuara me shpenzimet e saj.
Për të shuar flakët u angazhuan disa mjete zjarrfikëse, forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës për evakuuimin e banorëve e bllokuar në apartamente. Pas më shumë se katër orësh ndërhyrje nga toka dhe ajri zjarri u vu nën kontroll, duke lënë pas dëme jashtëzakonisht të mëdha.





