Pas zjarrit në një pallat 12-katësh në Njësinë Administrative nr. 4, Bashkia e Tiranës ka aktivizuar menjëherë strukturat e emergjencës për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderatore Pranvera Borakaj, Drejtori i Emergjencave Civile, Dritan Dango, sqaroi se pavarësisht ofrimit të strehimit emergjent, asnjë prej familjeve nuk ka pranuar të akomodohet në ambientet e vëna në dispozicion.
Sipas tij, që në momentin e njoftimit, në terren kanë qenë zjarrfikëset, Policia Bashkiake, Emergjencat Civile dhe shërbimet sociale, duke zbatuar protokollet për raste të tilla.
Ndërkohë, Bashkia po shqyrton mundësinë e dhënies së një bonusi qiraje të posaçëm për familjet e prekura.
Ai tha se aktualisht ekzistojnë dy skema bonusi i thjeshtë për qytetarët pa pronë dhe ai i rindërtimit, por shumë banorë penalizohen për shkak të regjistrimit të pronës në Kadastër.
Drejtori i Emergjencave Civile u shpreh se sa i përket vlerave, bonusi i qirasë në Tiranë varion sipas tipologjisë së banesës: 1+1: 30 mijë – 35 mijë lekë , 2+1: 35 mijë – 40 mijë lekë , 3+1: deri në 45 mijë lekë
Lidhur me dëmet materiale, Dango theksoi se kompensimi financiar do të varet nga akt-ekspertiza e autoriteteve përkatëse. Vetëm pas përcaktimit të shkaqeve të zjarrit, do të vendoset nëse banorët do të përfitojnë dëmshpërblim për orenditë dhe pajisjet e dëmtuara.
INTERVISTA E PLOTË:
Sa prej familjeve të prekura në pallatin 12-katësh kanë probleme strehimi tashmë dhe si është zgjidhur kjo çështje?
Dritan Dango: Doja të sqaroja pak çështjen e strehimit. Menjëherë sa kemi marrë lajmërimin, e gjithë struktura e Bashkisë së Tiranës ka qenë në terren, duke filluar nga MZSH-ja (zjarrfikëset), Policia Bashkiake, Emergjencat Civile, Shërbimi Social dhe të gjitha ndërmarrjet në varësi të bashkisë. Ekziston një protokoll i gatshëm që vihet në zbatim në raste të emergjencave civile. Për sa i përket strehimit, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion disa ambiente, duke filluar nga qendrat sociale deri te konviktet apo palestrat e shkollave, në rast se kemi një numër shumë të madh banorësh. Në këtë rast, banorët janë interesuar për strehimin, por kanë preferuar që të mos strehohen në ambientet që ka paraqitur bashkia. Asnjë prej familjeve nuk ka pranuar të qëndrojë në qendrat sociale. Interesi i tyre më i madh ka qenë se çfarë do të bëhet me pallatin dhe si do të veprohet më tej. Ndërkohë, Bashkia po shqyrton edhe programin e bonusit të qirasë. Aktualisht kemi dy programe: bonusi i thjeshtë i qirasë, pra për qytetarët që nuk kanë prone dhe bonusi i rindërtimit. Në rastin e parë, shpesh banorët penalizohen sepse rezultojnë me pronë në Kadastër (ASHK). Prandaj, Drejtoria Juridike dhe ajo e Shërbimit Social po shohin mundësinë për një bonus qiraje të paktën njëvjeçar posaçërisht për banorët e prekur në Njësinë Administrative Nr. 4.
Në çfarë vlere llogaritet ky bonus?
Dritan Dango: Në janar, Bashkia e ka rritur bonusin e qirasë për Zonën A të Tiranës. Vlera varet nga kontrata që lidhin banorët:
Për shtëpi 1+1, bonusi shkon nga 30.000 deri në 35.000 lekë të rinj.
Për shtëpi 2+1, shkon nga 35.000 deri në 40.000 lekë të rinj.
Për shtëpi 3+1, shkon deri në 45.000 lekë të rinj. Ky program duhet të kalojë me vendim të Këshillit Bashkiak dhe ne po punojmë për ta çuar përpara.
Ndërkohë, për dëmet që u janë shkaktuar këtyre familjeve, si do të funksionojë? A do të ketë një kompensim financiar për to?
Dritan Dango: Ligjërisht, Bashkia e Tiranës e ka të drejtën për një kompensim financiar. Ne kemi eksperiencën e zjarrit të para dy viteve te ’21 Dhjetori’ tek ish-parku, ku të gjithë banorët përfituan dëmshpërblim për orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake. Megjithatë, kjo ndodh vetëm kur në bashki vjen akt-ekspertiza e Policisë dhe MZSH-së për pasojat e zjarrit.
Nëse zjarri ka nisur nga disa fëmijë që kanë ndezur disa kartonë, siç dyshohet fillimisht, a përfitojnë banorët?
Dritan Dango: Më duhet të presim akt-ekspertizën, sepse ajo e përcakton qartë nëse ngjarja ka qenë me dashje apo pa dashje. Nëse vlerësohet si fatkeqësi e ndodhur pa dashje, grupi i punës fillon menjëherë inventarizimin e pajisjeve dhe orendive të djegura. Jemi në komunikim me pushtetin qendror dhe me firmën ndërtuese, për të parë se çfarë i takon ligjërisht firmës të mbulojë dhe ku duhet të ndërhyjë më pas Bashkia e Tiranës.
/vizionplus.tv





