GJKKO ka pranuar kërkesën e avokatëve të të akuzuarve për “Dosjen Partizani” që kryeministri Edi Rama të thirret në gjyq si dëshmitar.
I ftuar në studion e Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, avokati Leonard Karaj tha kjo çështje pritet të shkojë mbi dy vite në gjykatë.
Sa i përket thirrjes së Ramës si dëshmitar, Karaj tha se kryeministri mund të veprojë si paraardhësi i tij, duke justifikuar mosshkuarjen në gjykatë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Ishte i pritshëm ky vendim për të thirrur Ramën si dëshmitar në GJKKO?
Karaj: I pritshëm nuk mund të themi. Do ishte i pritshëm nëse do niste nga organi i akuzës, jo nga mbrojtja. Fakti konkret është që GJKKO ka pranuar listën e dëshmitarëve që ka kërkuar mbrojtja.
Borakaj: Listë jo e vogël.
Karaj: Sigurisht që kjo është strategji e mbrojtjes. Do të jetë një proces i gjatë, gjykimi mund të shkojë edhe 2-3 vite të tjera.
Borakaj: Është voluminoze?
Karaj: Edhe për shkak të dëshmitarëve, edhe për shkak të avokatëve, edhe për shkak të gjykatës.
Borakaj: Mund të refuzojë kryeministri të shkojë si dëshmitar?
Karaj: Ka njëlloj ilariteti nga njëra anë dhe një fryrje nga ana tjetër. Unë besoj se do jetë e vështirë ta shikoj zotin Rama në GJKKO. Teorikisht ai nuk duhet ta refuzojë shkuarjen në gjykatë. Praktikisht, ashtu sikurse ka bërë në të shkuarën Berisha, pres ta bëjë edhe zoti Rama.
Borakaj: Deri sa mund të shtyhet?
Karaj: Kodi ynë i procedurës penale e detyron kundërshtarin të shkojë në sallën e gjyqit. Pra, kur ti refuzon 3 herë, gjykata urdhëron policinë ta çojë në gjykatë. Po kush do jetë ai polic që ta urdhërojë Ramën të shkojë në gjykatë? Por gjykata mund të bëjë dhe një gjë të zgjuar, të pyesë kryeministrin kur është i lirë të bëjë seancë gjyqësore. Në jurisprudencën anglosaksone ka pasur raste pa fund ku dëshmitari është kthyer në të akuzuar. Jo më kot pala e zotit Berisha e ka thirrur si dëshmitar, pasi pretendon se në këtë vepër ka dorë edhe zoti Rama. Unë besoj, me aq sa kam lexuar, që zoti Rama është i implikuar në këtë dosje.
Borakaj: Kush e implikon?
Karaj: Vendimi për të lejuar ndërtimin. Ligji aso kohe ndryshoi nga qeveria Berisha dhe përfituan 1842 persona në Shqipëri. Ai ligj thoshte se ish-pronarët kanë të drejtë të blejnë pronat, por pa ndryshimin e destinacionit. Pra Malltezi e Begeja bëheshin pronarë të Kompleksit Partizani, por nuk mund ta ndryshonin. Por ndryshimi filloi me firmën e zotit Rama. Ka dhe një cen të rëndësishëm, se Edi Rama në atë kohë si kryebashkiak nuk ka zbardhur lejen e ndërtimit, dhe shteti shqiptar ka paguar diku te 400 milionë lekë.




