Disa momente herozimi nuk kanë nevojë për uniformë, nuk kanë nevojë për tituj. Ai lind në sekondat e para kur dikush vendos të mos largohet, por të hyjë drejt rrezikut.
I tillë ishte edhe veprimi i Jonuz Muratajt, i cili hyri mes flakëve për të shpëtuar një grua të moshuar, të bllokuar në banesën e saj, ndërsa zjarri përfshiu një pallat pranë “Farmacia 10” në Tiranë më 14 prill.
Mes tymit, kaosit dhe rrezikut të përhapjes së flakëve, Murataj nuk mendoi dy herë. Ai zgjodhi të veprojë, duke rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar një jetë tjetër, një akt që shkon përtej detyrës dhe flet për guximin njerëzor në formën e tij më të pastër.
Murataj: Jo vetëm unë, por të gjithë nga ekipi që morën pjesë në operacion do ta bënin. Ky lloj evakuimi ka problemet e veta. Ne evakuuam dhe njerëz të tjerë. Nga pjesa e përparme u evakuuan të gjithë banorët e pallatit. Në momentin e mbërritjes pashë që zjarri po shpërndahej. Dhe nga eksperienca ime 30-vjeçare mund ta quaj shpërndarjen e flakëve nga më të rrallat. Ishte e pamundur ndërhyrja. Menjëherë njoftova eprorët e mi dhe kisha nevojë për shtim forcash dhe kapacitetesh në mjete dhe njerëz. Këtë veprim do ta bënte kushdo që shërben në shërbimin zjarrfikës. E pashë të pamundur që të tërhiqesha. Era favorizonte flakët. Dëgjova nga familjarët që nëna ishte na katin e pestë. Veprova, nuk e mendova dy herë. Misioni ynë është shpëtimi i jetës së njerëzve.
Zonjën e gjeta në pjesën e brendshme të kuzhinës. Pasi hapa derën e ballkonit banesa ishte e mbushur me tym. Zonja kishte dashur të dilte nëpërmjet shkallëve të pallatit, por kur kishte hapur derën, kishte hyrë gjithë tymi i shkallës brenda. Nuk kishte mundur. Zonja vuante nga zemra. E gjeta në gjendje shoku, paniku. Në momentin e hapjes së derës së ballkonit, mori pak zemër. Aty i thashë “duhet të dalim”. Nga lart kishte shumë rënie të pjesëve të ndryshMe. Mendova se një person i patrajnuar, me moshë të thyer, do na shkaktonte më shumë probleme në rast se do t’i binte ndonjë pjesë. Prandaj i dhashë kokoren time.
Gjatë gjithë punës time 30-vjeçare kam pasur shumë raste. Më 26 nëntor, gjatë tërmetit kam qenë drejtues operacioni në Durrës. Por zjarri ka një element më të veçantë, nuk dihet se nga merr është i pakontrollueshëm.





