Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë të premte në Spanjë, ku do të marrë pjesë në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë me ftesë të homologut spanjoll, Pedro Sanchez.
Vizita në Spanjë një ditë pas vizitë në Romë, ku kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime të nivelit të lartë me kryeministren Giorgia Meloni, si dhe me ministrin italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, në fokus të bashkëpunimit dypalësh dhe ecurisë së projekteve të përbashkëta.
Sipas njoftimit zyrtar, samiti në Barcelonë do të përqendrohet në tema kyçe si forcimi i institucioneve demokratike, multilateralizmi, dezinformimi dhe teknologjia digjitale. Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, si edhe reduktimit të pabarazive si bazë për demokraci të qëndrueshme.
Në kuadër të qëndrimit në Spanjë, Rama pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Pedro Sanchez, si dhe me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.





