Që nga shkurti i vitit 2021, kur u njohën me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, janë të detyruar të sorollaten dyerve të drejtësisë.
Kjo është historia e 5 ish-punonjësve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Vaun e Dejës, që presin prej 4 vitesh të marrin vendimin e zbardhur të gjyqtares Arta Llazari, që vendosi dëmshpërblimin për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës pa shkak nga Ujësjellës Kanalizime Vau i Dejës.
Zvarritja e një të drejte për këta kryefamiljarë ka qenë e rëndë për ta, pasi jo vetëm që nuk po marrin paratë që u takojnë, por janë gjendur me rrëzim të ankimit edhe në shkallët e tjera të drejtësisë.
Ky nuk është rasti i parë që kjo gjyqtare zvarrit zbardhjet e vendimeve, pasi janë një mori ankesash në drejtim të saj, aq sa në fillim të këtij viti, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Arta Llazarit nga detyra, për mosveprim ndaj çështjeve civile dhe vonesa të përsëritura në arsyetimin dhe zbardhjen e vendimeve gjyqësore.
Ndërkohë në muajin prill, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori ndaj saj masë disiplinore, duke e pezulluar nga detyra për një periudhë gjashtëmujore. Tashmë me këtë pezullim të saj nga detyra, fati i çështjeve të shqyrtuara prej saj ka mbetur pezull dhe pasojat po i vuajnë qytetarët që mbeten “peng” i drejtësisë së vonuar.





