Kosova shënon sot 27-vjetorin e çlirimit, një nga datat më të rëndësishme në historinë e vendit.
Në qytete të ndryshme do të organizohen aktivitete përkujtimore, homazhe dhe ceremoni zyrtare në nderim të dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Kryeministri Albin Kurti së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, bënë homazhe në kompleksin Adem Jashari.
Ndërkohë SHBA riafirmoi angazhimin për paqe, stabilitet dhe prosperitet në Kosovë
“Sot, 27 vjet më parë, forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ndihmuar në hapjen e rrugës drejt paqes dhe stabilitetit. Ne nderojmë qëndresën e popullit të Kosovës dhe riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqe, stabilitet dhe prosperitet.”
12 qershori kujton hyrjen e forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë në vitin 1999, pas përfundimit të luftës, duke shënuar fillimin e një epoke të re për vendin. Kjo datë konsiderohet simbol i lirisë, paqes dhe shpresës për të ardhmen.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën rol kyç në përpjekjet ndërkombëtare për ndalimin e dhunës dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Para luftës, Uashingtoni ishte ndër zërat më të fuqishëm që kërkonte zgjidhje politike të krizës, ndërsa mbështeti edhe procesin e negociatave në Rambuje, në vitin 1999.
Pas dështimit të diplomacisë dhe përkeqësimit të situatës humanitare, SHBA-ja mori rol udhëheqës në ndërhyrjen e NATO-s, e cila nisi më 24 mars 1999 dhe zgjati 78 ditë.
Fushata ajrore detyroi forcat serbe të tërhiqeshin nga Kosova, duke i hapur rrugë vendosjes së paqes dhe kthimit të qindra mijëra shqiptarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre.





