SPAK godet disa nga kokat e narkotrafikut, përgjegjes për furnizimin e Europës me kokainë nga përtej oqeanit. Prokuroria e Posaçme zhvilloi një aksion të gjerë kundër 20 personave që dyshohet se kanë kryer pastrim parash nga trafiku masiv ndërkombëtar i kokainës. Nga këto masa, pesë janë arrest shtëpie ndërsa 15 arrest në burg.
Operacioni u shtri në tre qytete të vendit, Tiranë, Durrës dhe Vlorë ndërsa përmes burimesh Vizion Plus mësoi se janë goditur dy grupe kriminale, të cilët të mirëorganizuar kanë bashkëpunuar me njëri tjetrin me role të ndara.
Lexo edhe :
Related Posts
Mes fletëarresteve të prera bën pjesë biznesmeni i shumëpërfolur, Artur Shehu i cili gëzon pronësinë e pjesës më të madhe të Zvërnecit, por masa për të nuk është ekzekutuar pasi ai ndodhet në SHBA me azil politik. Sipas organit të akuzës ai akuzohet për pastrim parash, i financuar nga vëllezër narkotrafikantë, Erion dhe Adrian Rama.
SPAK me kërkesë të dy prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani dhe Elida Kaçkini kanë urdhëruar edhe arrestimin e vëllezërve Koçeku, Arturit që dyshohet si koka e grupit kriminal, Abedinit dhe Ervinit.
As ata nuk u vunë pas hekurave, sepse ndodhen në Dubai, por SPAK ka arritur të provojë trafikun transnacional të drogës që ata kanë kryer nga vendet e amerikës latine.
Sipas prokurorisë ishte biznesmeni Ilir ShtufI, për të cilin është nxjerrë urdhëri i arrestit në burg, ai që pastronte paratë e tyre. Por as ai nuk u arrit të arrestohet, ndërsa në qeli për po të njëjtën vepër penale përfundoi biznesmeni Orest Sota.
Nën sekuestro përfunduan rreth 128 milionë euro në llogarinë e noteres Amela Mukaj, të përdorura në 3 shitblerje tokash në Zvërnec. Po ashtu janë sekuestruar me mijëra hektarë tokë, 7 vila në Palasë, 2 në Rolling Hills, në Jalë dhe Sarandë llogari bankare, mbi 20 apartamente, qindra garazhde dhe mbi 50 llogari bankare.








