Gjysmëfinalja e spektaklit më të ndjekur në të gjitha trevat shqipfolëse, nën drejtimin e Vita Production, solli në ekranin e Vizion Plus emocione të forta, largime të papritura dhe shpalljen e finalistëve që do të garojnë për çmimin e madh.
Mbrëmja nisi me një nga momentet më të rëndësishme të garës, shpalljen e finalistit të dytë. Pas një televotimi me Vis Pupën dhe Ilir Shaqirin, publiku vendosi që DJ Bujaka t’i bashkohej Mozës në finalen e madhe. Një vendim që konfirmoi mbështetjen e fortë të publikut për artistin, duke e çuar atë një hap larg çmimit të madh.
Gjatë gjithë mbrëmjes ndjehej konkurrenca dhe rivaliteti i fortë. Pas finalistit të dyrë, fermerët u përballën në një sfidë që do të përcaktonte finalistin e tretë. Në një garë të fortë mes Sonit dhe Ilirit, këngëtarja arriti të triumfonte, duke siguruar një vend të drejtpërdrejtë në finalen e madhe. Kështu, pas Mozës dhe Bujakës të zgjedhur nga publiku, Soni u bë finalistja e tretë e Ferma VIP 3.
Ndërkohë, fermerët e mbetur kaluan në televotim. Publiku duhej të vendoste se kush do të vazhdonte garën mes Ilirit, Sarës, Romirit dhe Visit. Pas disa minutash votim intensiv, rrugëtimi i aktorit Romir Zalla në Ferma VIP 3 mori fund. Një nga personazhet më të dashur dhe më të komentuar të këtij edicioni u largua vetëm pak ditë para finales, duke lënë pas një eksperiencë të mbushur me emocione dhe momente të forta.
Por gara nuk mbaroi aty. Tre fermerët e mbetur, Visi, Iliri dhe Sara, u përballën në një tjetër sfidë vendimtare për të siguruar biletën e katërt drejt finales. Në këtë provë vendosi saktësia dhe qetësia. Vis Pupa arriti të shënonte me sukses dhe të fitonte sfidën, duke u shpallur finalisti i katërt i Ferma VIP 3.
Gjithçka mbeti më pas mes Ilir Shaqirit dhe Sara Karajt. Dy konkurrentët u përballën në një televotim kokë më kokë. Vendimi i publikut ishte i qartë. Sara një prej konkurrenteve më ambicioze të këtij sezon ndërpreu këtu rrugëtimin e saj në Ferma VIP 3.
Kështu u kompletua pesëshja finaliste që do të garojë për çmimin e madh të Ferma VIP 3. Moza, DJ Bujaka, Soni Malaj, Vis Pupa dhe Ilir Shaqiri janë emrat që do të përballen në natën finale të 15 qershorit.
Një finale që premton emocione, surpriza dhe një mbyllje spektakolare të një sezoni që ka mbajtur të mbërthyer publikun shqiptar për muaj me radhë.





