Subscribe

Tashmë edhe nxënësit e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” do të kenë më shumë terrene sportive që do shërbejnë edhe për banorët e zonës përreth.

“Më vjen shumë mirë që kemi arritur në një fazë ku pas rregullimit që i kemi bërë çerdheve, kopshteve, po fokusohemi tek shkollat. Por ne nuk e kuptojmë shkollën vetëm si një vend ku fëmijët e nxënësit “parkohen” disa orë gjatë ditës, teksa prindërit shkojnë në punë, por si një vend ku zhvillohen mendërisht, por edhe fizikisht, dhe kjo është arsyeja pse kjo është shkolla e dytë model me terrene moderne sportive”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj kujtoi se e gjithë zona përballë shkollës “Petro Nini Luarasi” ishte e shkatërruar, ndërsa tani jo vetëm që ka një infrastrukturë të re, por dhe ambiente moderne sportive në shkollë.

“Kemi kaluar nga një degjenerim urban, me trotuare të shqyer, gropa të hapura, kanale të zeza, ambulantë kudo, në një paraqitje shumë më dinjitoze të rrugës dhe aksit kryesor që lidh sheshin “Wilson” me digën e liqenit, përballë shkollës “Petro Nini Luarasi”, por më vjen mirë që sot në fakt, kemi rritur stekën e investimeve dhe dua të ftoj të gjithë banorët që ta trajtojnë këtë si një hapësirë edhe të tyren, jo vetëm të fëmijëve të tyre paradite, por edhe gjatë pasdites e orëve të vona të ditës, për t’u siguruar që i marrim maksimumin këtyre hapësirave”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se edhe pse Tirana ka pak hapësira, po bëhet gjithçka për shfrytëzimin maksimal të tyre në shërbim të komunitetit. Investimi i Bashkisë në këtë shkollë përfshin ndërtimin e tre fushave sportive, një fushë basketbolli dhe volejbolli, një fushë futbolli dhe për herë të parë edhe një fushë tenisi. Ato kanë të gjitha pajisjet e nevojshme sportive, terrene të ndriçuara por dhe rrethimet përkatëse.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *