Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e shkarkuar vetëm pak ditë më parë nga kryetari i zgjedhur i Bashkisë, Erion Veliaj, duke i hequr kompetencat si kryetare në detyrë, është larguar përfundimisht nga institucioni qeverisës i kryeqytetit.
Përmes një postimi në Facebook, Ristani falënderon të gjithë bashkëpunëtorët e saj, si dhe thekson se sot largohet me krenari nga një institucion i cili transformoi tërësisht Tiranën.
Megjithatë, Ristani thekson se, mbi të gjitha, do të jetë koha ajo që do të vërtetojë dhe do të jetë gjykatësi më i mirë.
Postimi i Ristanit:
Pas më shumë se një dekade në shërbim të qytetit më të bukur në botë, largohem sot me krenari, përulësi dhe plot dashuri për Tiranën. Atë që të gjithë e lakmojnë, shumë e duan, por pak e kuptojnë.
Qyteti për të cilin fillova të punoj 11 vite më parë, kur kaloja distancën e shkurtër, por të gjatë, të sheshit “Skënderbej”, që vetëm shesh nuk mund të quhej, është sot pikë takimi për vizitorë nga e gjithë bota, që nuk dinë t’i vënë tamam një emër joshjes që ndjejnë, pasi pika më e fortë e Tiranës është ndjesia e mirë që të jep.
Jam pa masë mirënjohëse për të gjithë bashkëudhëtarët e kësaj përvoje të papërsëritshme dhe për qytetarët që thyen paragjykime shekullore dhe stereotipe brezash për t’u shfaqur të bukur dhe krenarë në të gjithë botën.
Koha është gjykatësi më i drejtë, më i paanshëm dhe më i pakapshëm. Në respekt të kohës, asaj që do të vijë, lipset që qytetin ta shohim pak më tonin e ta duam për atë që jemi, jo për atë që mund të na bëjë.
Dhe sa për mua, unë do të mbetem gjithmonë “xhomllikse”, edhe pse kam lindur në Tiranë të Re dhe jam rritur përtej oqeanit.
Largohem sot me mbështetjen dhe dashurinë e atyre që për mua kanë më shumë rëndësi.
Faleminderit të gjithëve!





