Vrasje, hakmarrje dhe prishje e pazareve mes bandave rivale ishin sërish në dokus të seancës së radhës për dosjen ‘Plumbi i Artë’ në Gjykatën e Posaçme.
Këtë të martë ai që ka sjellë dëshmi tronditëse ishte sërish Henrik Hoxhaj. I penduari i drejtësisë fillimisht ka folur për për njohjen e tij me Nuredin Dumanin, të cilin sqaroi se e kishte takuar tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020 dhe më pas shkëmbyen numrat e telefonit.
“Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë, duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat. Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefonë të enkriptuar”, deklaroi Hoxhaj.
Takimi mes tyre sipas Hoxhajt ishte për të bërë pazaret për vrasjen e Dorian Shkozës në Durrës. Sipas tij, Dumani ia kërkoi si porosi nga Erion Alibej, I njohur me pseudonimin Krymi, por më pas u shpreh edhe për inate personale, vrasje për të cilin Hoxhaj do të paguhej 70 mijë euro.
“Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po. Nuredini më tha për dy vrasje që do bëhëshin në Durrës. Në fillim ishte si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha, a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë. Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer ishte Elio Bitri, nga Elbasani”, u shpreh Hoxhaj.
Ndërkohë ai ka rrëfyer edhe momentet makabre të vrasjes.
“Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi. Ditën e ngjarjes kam shkuar në Durrës. U takova tek shtëpia e Nuredinit në Durrës. Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro tek servisi. Kur kaluam atëherë nuk ishte prezent. Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona i shoqëruar. Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë m’u bllokua, përdora tjetrën. Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo. Pyeta Elion, a ky është. Po më tha ai. Edhe e godita. Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli”, tha Hoxhaj.
Në dëshminë e tij ai tha se nuredin Dumani ishte i ulur në makinë duke parë të gjithë ngjarjen, ndërkohë pagesën e krimit sipas tij do ta ndante përgjysëm me Elion Bitrin./vizionplus.tv





