Sheshet dhe rrugicat e lulishtes Shën Maria në qytetin e Korçës do të shtrohen me gurë në formën e një mozaiku. Kjo ndërhyrje do të kryhet nga Bashkia e Korçës në kuadër të rimodelimit të të gjithë kësaj sipërfaqeje e cila ka nisur pak ditë më parë.

Bëhet fjalë për rreth 1500 m2 të cilat do të marrin një pamje të re por edhe afër traditës së qytetit të Korçës pas shtrimit të mozaikut me gurë.

Burime pranë Bashkisë thonë se është përcaktuar edhe guri që do të përdoret, i cili vjen nga zona e Shtyllës në njësinë administrative Vithkuq.

Aktualisht disa mostra të këtij guri janë sjellë pranë lulishtes Shën Maria, ndërkohë që pritet që i gjithë ky investim i cili do të zbatohet nga punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të fillojë brenda pak ditësh.

Lulishtja Shën Maria është e dyta për nga madhësia në qytetin e Korçës pas parkut Rinia duke kapur një sipërfaqe prej më shumë se 14 mijë m2.

Vitet e fundit Bashkia e Korçës ka shtuar ndërhyrjet në lulishtet e parqet e qytetit duke e rritur me 30 mijë m2 sipërfaqen e gjelbëruar, ndërkohë që vetëm në qytetin e Korçës kjo sipërfaqe e gjelbëruar e trajtuar shkon në rreth 330 mijë m2 në total.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *