Një mozaik i ri me vlera të veçanta historike dhe arkeologjike është zbuluar në bazilikën paleokristiane të Elbasanit. Zbulimi u bë gjatë javës së parë të sezonit të ri të gërmimeve, në kuadër të projektit kërkimor për lagjen romano-bizantine jashtë mureve të qytetit antik të Scampis.
Sipas specialistëve, gjetjet e reja ndihmojnë në kuptimin më të plotë të evolucionit të monumentit gjatë shekujve V dhe VI, si dhe të zhvillimit ekonomik, kulturor e shoqëror të qytetit antik.
Arkeologu Elio Hobdari, shprehet se kërkimet aktuale synojnë të përcaktojnë me saktësi fazat e ndërtimit dhe përdorimit të bazilikës.
“Gërmimet kanë treguar se kisha ka kaluar të paktën dy rindërtime madhore, të shoqëruara me mozaikë të rinj dhe ndryshime strukturore”, thotë drejtuesi i gërmimevem Elio Hobdari.
Ndërkohë, arkeologu Erikson Nikolli bën të ditur se është zbuluar një dysheme me mozaik edhe më e hershme nga sa mendohej më parë.
“Një nga elementët më të rëndësishëm të zbuluar është një mbishkrim ku përmenden dy dhuruesit e mozaikut, euryudice, një diakoneshë, dhe victorinus. ky zbulim sjell të dhëna të reja për jetën fetare dhe shoqërore të scampis-it të lashtë”, thotë Erikson Nikolli, arkeolog.
Bazilika paleokristiane e Elbasanit, e zbuluar rreth dy dekada më parë pranë Rrapit të Bezistanit, vijon të pasurohet me gjetje të reja arkeologjike në çdo sezon gërmimesh.
Megjithatë, monumenti mbetet ende i mbuluar dhe jo plotësisht i aksesueshëm për vizitorët, ndërsa specialistët theksojnë nevojën për financime të mëtejshme për konservimin dhe ekspozimin e tij.





