Seanca për dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme është shtyrë. Sipas informacioneve, seanca e radhës do të mbahet më 8 qershor në orën 10:00.
Ditën e sotme për të dëshmuar ishte paraqitur në GJKKO ish-ministri i Sporteve, Ylli Pango. Bëhet me dije se në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm Fatmir Bekteshi, një nga të pandehurit e kësaj dosje dhe avokati i tij.
Ndërkohë pas vendimit për shtyrjen, Jamarbër Malltezi dha një deklaratë për gazetarët jashtë ambjenteve të gjykatës ku tha se i kanë gati argumentet kurdo që të zhvillohet seanca.
“Sot nuk e zhvillua seanca, u shty. Ne jemi gati kur do që të mbahet. Kemi një situatë ku dëshmitarët që u thirrën thanë se tokat ishin të degraduara. Kemi letra e shkresa të 2006 ku thonë nuk e kemi inventarizuar sepse kemi një situatë të paprecendentë. Kemi dy ndryshime destinacioni nga Edi Rama. Kemi lejen e sheshit në dhjetor të 2007 nga Edi Rama. Me pas në shkurt të 2008, kemi prap lejen e ndërtimit nga Edi Rama. Ne jemi krenar që kemi zhvilluar zonën tonë pa nxjerë asnjë nga banorët aty. Gjithccka e kemi bërë me paratë tona”, tha Malltezi.
Në seancën e radhës pritet të japin dëshmitë e tyre ish-ministri, Genc Ruli, Altin Ceni, Tetis Lubonja dhe Paro Laçi. Kujtojmë se në këtë dosje, të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerë të përfshirë në hetim. Çështja lidhet me privatizimin e kompleksit shumësportësh “Partizani”.





