Edi Rama është rikthyer në Korenë e Jugut pas 24 vitesh, kësaj here jo si kryetar Bashkie, por si Kryeministër i Shqipërisë.
Këtë të mërkurë, Kryeministri u prit nga homologu i tij Koreano Jugor, Kim Min-seok me të cilin u diskutua forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Biseda u fokusua gjithashtu tek teknologjia, ku u vu në dukje fakti se Shqipëria ka emëruar Diellën, të parën ministre në botë për Inteligjencën Artificiale.
Kryeministri Kim Min-seok është shprehur se Koreja e Jugut i kushton një rëndësi të veçantë zhvillimit të AI dhe teknologjive të avancuara.
Nga ana e tij, Rama u shpreh se Koreja e Jugut është një burim frymëzimi për Shqipërinë sa i përket zhvillimit kombëtar.
Në Konferencën Aziatike të Lidershipit, ai tha se të dy vendet kanë ngjashmëri, pasi kanë kaluar vështirësi historike dhe kanë arritur zhvillim ekonomik e demokratik, pavarësisht sfidave.
“Shqipëria ishte Korea e Veriut të Europës dhe sot ajo po ecën në një tjetër rrugë, thellësisht ndryshe. Një rrugë ndërtimi institucionesh, modernizimi, drejt BE. Institucionet mund të ndërtohen edhe kur një vend dikur i kufizuar nga izolimi, mund të frymëzohet nga aspirata. Kjo është vetëm një prej arsyeve pse për mua është kuptimplotë të jem në Seul”.
Më herët, Kreu i qeverisë zhvilloi takime me sipërmarrës të kompanive më në emër të teknologjisë së Koresë së Jugut si LG Group, KIA Coorporation dhe Lotte Group.
Vizita e Ramës në Azinë e largët vijon të enjten, pasi kreu i qeverisë do ti drejtohet Japonisë, ku do të pritet nga homologia e tij në një takim zyrtar në Tokio.





