Financat e vijojnë të jenë problemi kryesor për bashkitë. Në mbledhjen e Komisionit të posaçëm të reformës territoriale, gjatë një dëgjese, kryebashkiakët ngritën shqetësimin se nuk mund të mbulojnë dot një sërë shërbimesh për shkak të mungesave të fondeve.
“Nuk mbulojme dot me të ardhurat e bashkive disa projekte rajonale.Kemi mungesë të burimeve njerëzore.Nuk është domosdoshmërisht e nevojshme ndryshimi i hartës teksa mund të rregullojmë kompetencat. Mos shikoni vetëm hartat, pasi kemi disa funksione si ujitja dhe kullimi, rrugët rurale, arsimi parashkollor dhe parauniversitar, turizmi, ujesjellesat nuk i mbajmë dot”, shprehen kryebashkiakët.
Megjithatë, anëtarët e komisionit e rikthyen vëmendjen tek ndryshimi i hartës territoriale. Ishin demokratët ata që vunë në pikëpyetje nëse shkrirja e bashkive të vogla me të mëdhatë do të sillte lehtësi.
“Po ju si mendoni se këto shkrirjet me bashkitë e mëdha apo krijimi i rajoneve do të sillte lehtësi për ju?”, tha Bledion Nallbati, deputet PD
Përgjigjen deputeti i opozitës e mori nga bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku, i cili u shpreh se është ende herët për të biseduar për tkurrje apo shtim të numrit të institucioneve vendore.
“Nuk mund te flasim hipotetikisht per rajon kur eshte dicka qe nuk ekziston. Ne kerkojme ate cka kane nevoje bashkite dhe jo cfare mund te ndodhe ne te ardhmen”, tha Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i PS të Komisionit Territorial
Dëgjesat me kryebashkiakët do të vijojnë deri në fund të muajit maj teksa anëtarësia e komisionit të posaçëm të reformës territoriale vijon dhe me diskutimet në terren.





