Subscribe

Asnjë prej zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike nuk do të dalë nga zyrat për t’ia lënë selinë Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit. Pasi gjykata e Tiranës regjistroi të gjitha vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se ky vendim nuk është i zbatueshëm, pasi është vendim i shkallës së parë dhe PD do ta godasë në gjykatën e Apelit.

 

ENKELEJD ALIBEAJ
KRYETAR I KOMANDUAR, PD

“Është një vendim ndaj të cilit ne do të ushtrojmë një ankim. Kushtetuta shqiptare, kodet e procedurës civile, ligji “Për partitë politike”, përcakton që ndaj një vendimi që pasi zbardhet, madje edhe kur nuk zbardhet, brenda afatit 15 ditor ke të drejte që të paraqesësh ankim. Ne do të paraqesim një ankim. Vendimi merr formë të prerë, është i ekzekutueshëm vetëm kur shqyrtohet nga një instancë finale, vetëm nga Gjykata e Apelit.”

 

Alibeaj ka sulmuar ashpër gjyqtarin që regjistroi statutin e 11 dhjetorit, Agron Zhukri, duke deklaruar se ai ka qenë i njëanshëm në proces.

 

“Nga njohuritë e mia juridike por edhe nga media sesi zhvillohen gjyqet, për mua është një vendim i nivelit të skandalit. Pse?! Për një arsye fare të thjeshtë. Ne kemi bërë një ankim për regjistrimin e Kuvendit të datës 18 Dhjetor është i fundit Kuvend që PD ka realizuar. Çështja është në Apel bashkë me të gjithë dosjen bashkë me provat. Gjyqtari i sotëm nuk ka pasur një dosje. Së dyti, pa pasur palë. Sepse që një vendim të ketë efekt mbi palën tonë, duhet që të ishim edhe ne palë apo jo?! Janë këto dy elementë, që për këdo besoj i lind detyrimi për të paraqitur kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj gjyqtarit, gjë të cilën unë e kam autorizuar.”

 

Në 6 mars Sali Berisha fitoi betejën politike ndaj Lulzim Bashës dhe këtë të premte ai fitoi edhe betejën e parë gjyqësore ndaj  tij. Por duket se lufta mes Sali Berishës e tashmë kryetarit Enkelejd Alibeaj për siglën dhe selinë e Partisë Demokratike do të vazhdojë në gjykatën e Apelit.

 

Në shkallën e dytë, PD ka shkuar të enjten për të kërkuar regjistrimin e statutit të Kuvendit të mbajtur në 18 dhjetor dhe do të shkojë sërish për të rrëzuar regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të mbajtur nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij në 11 dhjetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *