Subscribe

Nisma e propozuar  nga opozita për një veting të politikës nuk duhet të çojë në bllokimin e vetingut në drejtësi. Apeli vjen nga ambasadorja gjermane Susanne Schüt, e cila në një intervistë për Vizion Plus, kërkon që pastrimi i politikës të bëhet pas ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

 

 Politikanet sikundër edhe çdo qytetar tjetër shqiptar te cilët mund të jenë autorë të veprave të ndryshme penale do të duheshin gjithsesi që të silleshin para drejtësisë dhe në një shtet ligjor për këtë ka procedura të mirëpërcaktuara juridike. Ndaj mendoj se ajo që duhet bërë si hap i parë është bërja funksionale e procesit të vetingut qe do të sillte pastaj edhe një drejtësi funksionale. Do të duhej të ngrihej sikundër e kemi thënë SPAK dhe Byroja Kombëtare e hetimit, në mënyrë të tillë  që të mund të garantohej në një hap të dytë edhe vetingu në politikë. Më lejoni të plotësojë gjithashtu se diskutimet për idenë e vetingut brenda politikes nuk do të duhet të çonin në ngadalësimin apo në bllokimin e vetingut në drejtësi.

 

Reforma në drejtësi ka bllokuar aktualisht gjykatën kushtetuese dhe atë të lartë, ndërkohë që vetingu shpesh është kontestuar edhe nga opozita si selektiv dhe i ndikuar politikisht. Por ambasadorja gjermane thotë se kjo periudhë tranzicioni ishte parashikuar.

 

Procesi i vetingut është i konstruktuar në mënyrë të tillë që të krijojë një fazë kalimtare, tranzicioni. Ishte paramenduar kjo gjë, që në fazën që do të largoheshin nga sistemi gjykatësit apo prokurorët e caktuar, ato vende nuk mund të ziheshin menjëherë. Ndaj në këtë fazë ku jemi është mjaftë e rëndësishme që të krijohen sa më shpejtë që të jetë e mundur këshillat e gjyqësorit dhe prokurorisë në mënyrë që këto të mund të emërojnë gjykatësit dhe prokurorët e rinj.

 

Diplomatja e lartë gjermane tërheq vëmendjen për segmentet e caktuara që punojnë kundër reformës.

 

Unë mund të përfytyroj mjaft mirë se në Shqipëri mund të ketë gjykatës, prokuror ose politikanë në tërësi të cilët nuk dëshirojnë se që ky proces te kete sukses në tërësi dhe shpesh here ndoshta kërkohet dhe synohet edhe dështimi i këtij procesi. Mendoj që ky është një shans mjaft i mirë për të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare, që ai mund të vihet në baza të tilla që do mund ta mbajnë atë larg korrupsionit dhe ndikimit të politikës.

 

Objektivi kryesor i Shqipërisë është nisja e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian; por kjo sipas ambasadores Shutz, kërkon përmbushjen e kritereve:

 

E qartë që janë ende disa kritere apo premisa që do të duhet të përmbusheshin sikurse eshte lufta kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar në mënyrë që të merret një vendim pozitiv. Vetingu është gjithashtu  një prej këtyre premisave  dhe shpresojmë shumë që këto kritere mund të plotësohen  deri në qershorin e ardhshëm ne mënyrë që të merret një vendim pozitiv.

 

Ambasadorja gjermane vlerëson përpjekjet për sundimin e ligjit, por kërkon  më shumë për arrestimin e krerëve të organizatave më të fuqishme kriminale./ Denis Tahiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *