Presidenti francez Emmanuel Macron priti sot presidentin kinez Xi Jinping në malet e Pirenejve, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në vend, gjatë së cilës Xi nuk u duk i gatshëm të bënte lëshime të mëdha në tregti apo politikë të jashtme.
Macron dhe gruaja e tij Brigitte, të cilët mirëpritën Xi dhe gruan e tij Peng Liyuan në aeroportin Tarbes-Lourdes Pyrenees, i çuan për drekë në malet e preferuara të presidentit francez, ku gjyshja e tij ka lindur.

Macron, Xi dhe bashkëshortet e tyre, të shoqëruar nga përkthyes, hëngrën mish qengji, djathë dhe një byrek me boronica në një restorant tradicional lart në male, rreth një orë larg nga aeroporti.

Dy çiftet shkuan aty me makina të ndara. Këshilltarët e presidentit francez e përshkruan udhëtimin në Pyrenees si një aktivitet të jashtëzakonshëm që do t’i jepte atij mundësinë për të pasur bisedime të drejtpërdrejta, kokë më kokë me Xi, pa ndërhyrjen e ndihmësve nga asnjëra palë.

Një nga qëllimet kryesore të Macron është të bindë Xi të reduktojë çekuilibrin tregtar midis dy kontinenteve, me akses më të mirë për kompanitë evropiane në Kinë dhe subvencione më të ulëta për eksportuesit kinezë.

Emmanuel Macron ka një histori përpjekjesh për të krijuar marrëdhënie personale të hapura me partnerët e tij, madje edhe ata me të cilët ai nuk pajtohet fort.

Udhëheqësit francez i pëlqen të përqafojë, të shkelë syrin ose të përkëdhelë partnerët e tij në shpinë, diçka që nuk e bëri me Xi, i cili nuk është mësuar të përqafohet.

Macron e bëri këtë gjatë presidencës së Donald Trump dhe me presidentin rus Vladimir Putin para luftës në Ukrainë dhe së fundmi me presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, për kënaqësinë e komentuesve të mediave sociale.

27 anëtarët e Bashkimit Evropian kishin një deficit tregtar prej 396 miliardë eurosh me Kinën në vitin 2022, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, krahasuar me 250.3 miliardë një vit më parë.

Kompanitë franceze dhe kineze arritën dje një sërë marrëveshjesh në fusha që variojnë nga energjia te transporti në margjinat e vizitës së Xi, por shumica ishin marrëveshje për të bashkëpunuar ose rinovuar angazhimet për bashkëpunim dhe nuk pati marrëveshje të mëdha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *