Prokuroria e Korçës ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të konsiderueshëm pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasit Edri Bulicka dhe familjarëve të tij, pas dyshimeve se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme që burojnë nga aktiviteti kriminal i trafikut të narkotikëve në Itali dhe Spanjë.
Hetimet nisën që në vitin 2022, në kuadër të procedimit penal nr.208, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe sipas Prokurorisë, Bulicka ka investuar shuma të mëdha parash në prona, automjete dhe biznese, duke i regjistruar në emër të tij dhe të familjarëve.
Ndërkohë, sipas të dhënave të siguruara nga hetuesit, ai figuron i punësuar fiktivisht si kamarier në një biznes në fshatin Udënisht, Pogradec, ku në fakt nuk ka punuar kurrë. Edhe nëna e tij rezulton të ketë regjistruar një aktivitet tregtar për “shitje online” në dhjetor të vitit 2021, por me adresë në banesën e tyre dhe pa të ardhura të justifikueshme.
Pasuri të shumta të sekuestruara – Hotele, apartamente, automjete luksoze
Lista e pasurive të sekuestruara përfshin:
– Prona të paluajtshme:
“Rich Hotel”, një objekt hotelerie me sipërfaqe 152.5 m² në qytetin e Pogradecit, në emër të Edri Bulickës dhe një të afërmi;
Disa pasuri të tjera në formë trualli dhe apartamentesh në emër të tij dhe familjarëve të tij, me sipërfaqe dhe vlerë të konsiderueshme.
-Subjekte tregtare:
Subjekti “Rich Hotel” sh.p.k me aktivitet hoteleri dhe bar;
Dy biznese të tjera të regjistruara në emër të Bulickës për shitje automjetesh, shërbime parkingu dhe servis makinash.
-Automjete të sekuestruara:
Një Mini Cooper, një Audi Q5, një Ford, një Mercedes S-Class, si dhe dy kamionë.
Një pjesë e automjeteve ishin të regjistruara në emër të tij, ndërsa të tjera në emër të familjarëve apo bashkëpunëtorëve të dyshuar.
Paga si “kamarier” nuk justifikonte investimet
Prokuroria thekson se Edri Bulicka dhe familjarët e tij nuk justifikojnë burimin e të ardhurave për pasuritë në fjalë. Nga verifikimi i llogarive bankare, rezulton se janë kryer transaksione me shuma të mëdha në lekë dhe në valutë të huaj, të cilat nuk përputhen me profilin ekonomik të deklaruar.
Në përfundim, mbi pasuritë e mësipërme është vendosur masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar burime të tjera të të ardhurave të dyshimta si dhe persona të tjerë të përfshirë.
/vizionplus.tv





