Gazetarja Bruna Çifligu, e ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, deklaroi se Partia Socialiste i ka ndezur tashmë motorët elektoralë për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, ndërkohë që PD nuk duket askund.
Por për deputetin e PD, Ivi Kaso, PS thjesht po kërkon të bindë qytetarët se është gati, pas betejave të brendshme për ndarjen e klaneve që ka pasur në periudhën e fundit.
Pjesë nga biseda:
Çifligu: Kundërshtari i ka ndezur motorët elektoralë, po ju?
Kaso: Nuk është jashtë vëmendjes sonë përgatitja për zgjedhjet e 2027-ës apo edhe rifreskimi i strukturave, si dhe zgjedhjet e parakohshme. Ky është një proces paralel; po evidentojmë edhe kandidaturat potenciale për kryetarë bashkie. Ndërkohë, në krahun tjetër deklarohet se janë ndezur motorët, por kjo është propagandë. Është një operacion marketingu në përfundim të luftës së klaneve, ku klani Balluku rivendosi fuqinë e vet. Siç mori një pjesë më të madhe të pushtetit qeverisës, ku nga dy ministri tani kontrollon katër. E njëjta peshë iu dha edhe brenda partisë, te drejtuesit politikë. Të gjithë ata që e panë shtrembër mbrojtjen që Rama i bëri Ballukut, u tregoi vendin. Balluku, nga drejtuesja e qarkut të dytë më të rëndësishëm, iu dhanë edhe qarqe të tjera. Pra, ky ishte operacioni i retushimit të imazhit. Për fat të keq, përpjekja elektorale e PS në qarqe të caktuara i është dhënë krimit të organizuar.





