Në fillim të vitit 2025, në dispozicion të bizneseve të vogla dhe të mesme u vendos një linjë kreditimi e dedikuar në shumën e 25 miliardë lekëve. Por të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm 1.8 miliardë lekë janë përdorur nga fondi, për 131 kredi të miratuara.
“Vjen si pasojë e barrierave burokratike që kanë bankat e nivelit të dytë, që akoma e kanë pak të vështirë të japin kredi, sidomos për biznesin e vogël dhe të mesëm sepse i konsiderojnë me rrezik të lartë. Nga ana tjetër, biznesi i vogël dhe i mesëm ka një nevojë të madhe për kreditim, por nuk mundet ta plotësojë të njëjtën barrë burokratike, administrative si biznesi i madh“, tha Ergis Sefa, ekspert pë ekonominë.
Edhe pse një ndër qëllimet kryesore të këtij programi ishte të ndihmonte fermerët të merrnin më shumë kredi në banka, sipas të dhënave ky sektor ishte i treti që arriti të marrë hua.

Rreth gjysma e financimeve është përdorur për blerje pajisjesh dhe makinerish, me qëllim zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe modernizimin e aktivitetit.
“Duhen letësuar jo vetëm barrat burokratike, por duhet zgjidhur njëherë e përgjithmonë edhe çështja e pronësisë së tokës që është një ndër pengesat kryesore që kanë fermerët për të përfituar qoftë grante, kredi apo subvencione. Kur të zgjidhet kjo, mund të mendojmë për mekanizmat financiare të subvencionit që ndihmojnë fermerët për t’u rritur. Por, jemi akoma në nivelin bazë”, tha Sefa.
Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme konsiderohen si shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare dhe përbëjnë rreth 100 për qind të numrit total të bizneseve, por ata përfitojnë më pak se gjysmën e kredisë bankare për biznesin.
Kjo për shkak të nivelit të lartë të informalitetit, mungesës së kolateralit historikut të marrëdhënieve me bankat, si dhe njohurive të kufizuara financiare.
/vizionplus.tv





