Ndryshe nga ditët e tjera, kur janë regjistruar afro 150 raste të reja me koronavirus në ditë, këtë të shtunë nuk ndodhi kështu.

Rovena Daja nga Ministria e Shëndetësisë, në përditësimin e shifrave, deklaroi se në orët e fundit janë testuar 796 persona, nga të cilët vetëm 84 kanë dalë pozitivë. Numri total i të infektuarve shkon kështu në 9.279.

Pacientët që kanë humbur jetën për shkak të virusit këtë të shtunë janë katër. Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Shqipëri që nga marsi është 275.

“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 69 vjeçar nga Shkodra, 71 vjeçar nga Durrësi, një 77 vjeçar dhe 79 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese, i shprehim ngushëllimet familjarëve.”

97 është numri i qytetarëve të shëruar, duke e çuar kështu totalin në 5.020. Rovena Daja i mëshoi faktit se për të tretën ditë radhazi, numri i të shëruarve është më i lartë se i rasteve të reja.

Pavarësisht kësaj, situata në spitalet COVID nuk duket fort mirë.

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 175 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 9 pacientë janë të intubuar.  Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 43 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *