Presidenti Joe Biden njoftoi të martën angazhime ambicioze për klimën në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, në Glasgou të Skocisë. Ai gjithashtu kritikoi udhëheqësit kinezë dhe rusë se nuk japin kontributin e tyre në këtë betejë. Korrespondenja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, na ka dërguar këtë raport nga Glasgou.

Ndalimi i shpyllëzimeve dhe restaurimi i 200 milionë hektarë pyjeve dhe ekosistemeve të tjera deri në vitin 2030, mbështetur nga afro 20 miliardë dollarë financime publike dhe private. Ky është premtimi i bërë nga më shumë se 100 udhëheqës botërorë në konferencën e OKB-së për klimën në Glasgou të Skocisë.

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro foli përmes videokonferencës.

“Ne jemi të përkushtuar të eliminojmë shpyllëzimin e paligjshëm deri në vitin 2030. I bëj thirrje çdo vendi të ndihmojë në mbrojtjen e të gjitha pyjeve, me burime të duhura për të përfituar të gjithë”.

Sasia e çliruar e metanit, që vjen kryesisht nga industri të tilla si nafta, gazi dhe qymyri, gjithashtu do të pakësohet. Udhëheqësit u angazhuan për të ulur nivelet me 30% deri në vitin 2030 nën Premtimin Global për Metanit, një iniciativë e nxitur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Reduktimi i emetimeve të metanit është një nga veprimet më efektive që mund të bëjmë për të reduktuar ngrohjen afatshkurtër globale dhe për ta mbajtur atë me 1.5 gradë Celsius. Ky është objektivi më i afërt”, tha Ursula von der Leyen, president e Komisionit të BE-së.

Me perspektivën e pasigurtë në Kongres të legjislacionit të tij për klimën, Presidenti Joe Biden parashtroi një sërë nismash vendase për të mbështetur premtimet për shpyllëzimet dhe metanin. Ai kritikoi Kinën dhe Rusinë që nuk bëjnë sa duhet në këtë drejtim.

“Fakti që Kina, duke u përpjekur të pretendojë, një rol të ri në botë si udhëheqëse botërore, nuk po bën sa duhet është shkurajues. Gjëja e vetme më e rëndësishme që ka tërhequr vëmendjen e botës është klima. Kudo. Nga Islanda në Australi, është thjesht një çështje madhore. Dhe ata janë larguar. Si mund ta bësh këtë dhe të pretendosh të kesh rol udhëheqës? E njëjta gjë me Putinin dhe Rusinë”, tha presidenti Biden.

Kina dhe Rusia i hodhën poshtë akuzat dhe thanë se vendet e industrializuara perëndimore janë ato që duhet të bëjnë më shumë, pasi ato janë përgjegjëse për shumicën e gazeve serrë sot në atmosferë.

Të dy vendet kanë premtuar të ulin emetimet në zero deri në vitin 2060, një dekadë pas objektivit global. Por ata u angazhuan për t’i dhënë fund shpyllëzimit.

“Ne po marrim masa më të forta për të mbrojtur pyjet. Ne po përmirësojmë menaxhimin e pyjeve dhe po luftojmë prerjet e paligjshme dhe zjarret pyjore. Po zgjerojmë gjithashtu zonat e ripyllëzimit. Ne kemi rritur vazhdimisht fondet për këto qëllime“, tha presidenti rus.

Aktivistët e klimës i mirëpresin angazhimet, por janë ende skeptikë.

“Ky është problemi me shumë nga këto angazhime – ka një hendek llogaridhëniejeje. Qeveritë bënë premtime të ngjashme në vitin 2014 me Deklaratën e Nju Jorkut për Pyjet, por ato nuk çuan në përparimin që pritej”, thotë Jo Black me organizatën Global Witness.

Negociatat në konferencë do të vazhdojnë deri më 12 nëntor. Por një propozim madhor – dhënia fund e varësisë nga qymyri – u rrëzua menjëherë. Në samitin e G-20 në Romë javën e kaluar, udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha nuk arritën të bien dakord kur do të hiqnin dorë nga ky burim i papastër energjie që përbën më shumë se 70% të emetimeve të gazeve që shkaktojnë efektin serë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *