Lideri i opozitës Sali Berisha doli sërish para gazetarëve për të denoncuar çështjen e inceneratorëve. Sipas liderit historik të demokratëve, përgjegjësit kryesore për këtë çështje janë kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj. Berisha ka komentuar edhe deklaratat e drejtuesit të SPAK-ut Altin Dumani me gazetarët për hetimet në lidhje me inceneratorin e Tiranës, duke  akuzuar prokurorinë e posaçme se duke ndarë dosjen e 3 inceneratorëve ka amnistuar qeverinë

“Arsyeja pse e bëjnë këtë është se këta nuk guxojnë kurrë që qeverinë e partisë së tyre- se unë ju kam thënë që ky Dumani është një majtist i pakorrigjueshëm- pra ky nuk mund të pranojë që qeveria e partisë së tij të shpallet organizatë kriminale. Se nëse e merr në zhvillim ose në tërësi çështjen e inceneratorëve, për çdo njeri normal, kryetar ka Edi Ramën, zëvendëslejtnant ka Engjëll Agaçin që ka marrë pushtetin që nuk i takon, ka pastaj ministra, Erion Veliajn fill pas Ramës dhe me radhë.”, tha Berisha.

Nga ana tjetër Berisha ka akuzuar prokurorët që po hetojnë çështjen e kompleksit Partizani se duke kërkuar ndalimin e komunikimit për të, kanë treguar se janë vendosur nën urdhrat e kryeministrit Edi Rama.

“Se kush janë të drejtat e Sali Berishës dhe çfarë mund të bëjnë xhelatët e këtyre të drejtave këtë do e shohim. Dhe aq me tepër kur këtë e bën polici i regjimit të Enver hoxhës.”, shtoi Berisha. 

Berisha ka përsëritur se cilido që të jetë vendimi i gjykatës së posaçme, ai do të vazhdojë të jetë kryetari i Partisë Demokratike

“Statuti përcakton strukturat drejtuese, kryetari është kryetar, sekretari i përgjithshëm është sekretar, nënkryetarët po ashtu. Ajo që kërkohet është një kthesë për të rivendosur pluralizmin”, tha ai./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *