Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha edhe njëherë ka zgjedhur të lërë të hapur mundësinë e përfshirjes së saj aktive në Partinë Demokratike, si kandidate për deputete apo edhe kandidate për drejtimin e forcës politike që prej 3 dekadash është dominuar nga figura e Sali Berishës.

Argita Malltezi doli së bashku me ekipin e avokatëve për të përsëritur qëndrimin se Sali Berisha e Jamarbër Malltezi mbahen në arrest shtëpie pa provë dhe procesi ndaj tyre është politik. Por ajo sqaroi se për momentin fokusi i saj është te beteja gjyqësore, më vonë beteja politike mund të jetë opsioni i vetëm.

 “Nuk ka pasur ndryshimi në atë çfarë kam thënë më parë. Shpresoj që situata në vend të bjerë në hullitë e ligjshmërisë dhe proceset të ndjekin rrugën e tyre ligjore. Do të qëndroj nëse mendoj se është një padrejtësi ndaj të cilës duhet qëndruar. Aktualisht po qëndroj në këtë formë, por më vonë mund të qëndroj duke marrë vendime të tjera drejt politikës”, tha Argita Malltezi.

Argita Malltezi dhe ekipi i avokateve  që mbrojnë ish-kryeministrin Berisha lajmëruan se tani beteja e tyre do të transferohet në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Strasburg.

Prej momentit të vendosjes nën hetim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, Argita Malltezi ka qenë aktive në protestat e PD por edhe në media, duke shtuar zërat se Argita Malltezi mund të jetë një prej figurave kryesore që do të garojnë për të marrë drejtimin e PD. Por deri më tani vetë zonja Malltezi  ka preferuar  që të shmangë një përgjigje konkrete për këtë çështje./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *