Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se dërguari i bllokut për Sirinë do të shkonte në Damask për të biseduar me udhëheqësit e rinj pas rrëzimit të regjimit të Assad.
“Kam ngarkuar kryediplomatin evropian në Siri që të shkojë në Damask për të krijuar kontakte me qeverinë dhe njerëzit e rinj atje. I dërguari ynë në Siri do të shkoj sot atje”, deklaroi Kallas.
Zyrtarja e Brukselit tha se ministrat e Jashtëm të bllokut do të diskutojnë këtë të hënë se si dhe në çfarë niveli do të angazhohen me udhëheqësin e ri të Sirisë.
“Për ne, nuk janë vetëm fjalët, por duam të shohim veprime që shkojnë në drejtimin e duhur. Pra, jo vetëm çfarë po thonë, por edhe çfarë po bëjnë.Mendoj se javët dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur. Dhe mendoj se atëherë do të jemi të hapur për të diskutuar hapat e ardhshëm”, tha Kallas.
Duke kujtuar takimet e së shtunës në Jordani me vendet arabe, Turqinë dhe SHBA-në për këtë çështje Kallas tha: Është shumë e rëndësishme që aktorët rajonalë si dhe aktorët ndërkombëtarë ta shohin pamjen në të njëjtën mënyrë dhe të duan që ky vend të jetë i qëndrueshëm e paqësor.
Bashkimi Europian ndërpreu lidhjet me regjimin e Asadit gjatë luftës civile në Siri por vijoji të dërgonte ndihma humanitare për popullatën.





