Në një njoftim për shtyp të publikuar nga Komisioni Europian (KE) bëhet me dije se, “BE  në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH)  nis një projekt të ri rajonal me vlerë mbi 7 milion euro për të mbështetur vaksinimin e sigurtë dhe efektiv të popullatave në të gjithë Ballkanin Perëndimor (BP)”.

KE thekson se projekti në fjalë do të kontribojë në përgatitjen e rajonit për pritjen dhe administrimin efektiv të vaksinave anti covid -19, përfshirë edhe ato nga COVAX* përmes mekanizmit të ndarjes së vaksinave të BE me shtetet e tij anëtare.

Projekti prej më shumë se 7 milion euro pritet të ndihmojë në përmirësimin e rezistencës së rajonit ndaj emergjencave shëndetësore dhe mbështetjes për financim të qëndrueshëm ndaj kujdesit shëndetësor universal, thekson njoftim i KE.

Kjo përqasje e projektit të sapo nisur përfshin zhvillimin dhe testimin e planeve të gatishmërisë emergjente, trajnimin për profesionistët e shëndetit dhe zhvillimin e sistemeve të menaxhimit të informacionit për vaksinat në BP.

3.3 miliardë euro në total mbështetja e BE për BP

Komisioni Europian, vë në dukje, se mbështetja e BE ndaj BP, që nga fillim i pandemisë, i tejkalon 3.3 miliardë euro. Njoftimi për shtyp i KE citon Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, ta ketë cilësuar projektin  e ri ” mbështetës të fushatave të vaksinimit në BP në partneritet me OBSH, dhe vazhdim të angazhimit të BE për të mbështetur partnerët në trajtimin e pandemisë që nga fillimi i saj ”

Projekti i ri rajonal prej 7 milion eurosh  mbyll një paketë financiare prej 25 milion eurosh që BE ka vënë në dispozicion të BP, fond që vjen nga finamcimet e Instrumentit të BE për Para-Anëtarësimin (IPA)

Kjo paketë i ka mundësuar  Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) të forcojë punën e saj në BP, thekson njoftim i KE duke kryer psh “testin e stresi” për të gjitha strategjitë e vaksinimit anti-covid në BP. Testi në fjalë, thekson KE,  nxorri në dritë mësime të rëndësishme për zbatimin e strategjiv. Kontributi i ardhshën i ECDC do të jetë sidomos në fushën e mbikëqyrjes së infeksioneve të rënda akute të frymëmarrjes.

Mbështetje ndaj grupeve vulnerabël të popullsive të BP

Paketa financiare prej 25 milion euro në kuadër të IPA përfshin edhe pesë projekte të BE me    Këshillin e Evropës, UN WOMEN, UNICEF, UNDP dhe Kryqin e Kuq, të nënshkruara kohët e fundit,  që mbështesin grupet vulnerabël të popullsive të BP, të prekura nga pandemia si romët, gratë, viktima të dhunës, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.

Paketa prej 3,3 miliard euro e BE në mbështetje të BP përfshin edhe rimëkëmbjen post-pandemike: mbështetjen e menjëhershme me pajisje, atë afatmesme dhe afatgjatë për sistemet shëndetësore dhe ekonomitë. Ajo përfshin ndihmë makro-financiare në formën e kredive dhe një paketë përgjigje të Bankës Evropiane të Investimeve (EIB).

BE është ndërkohë një nga mbështetësit më të fortë të COVAX, që  mbetet mjeti më i mirë për të siguruar qasje të drejtë dhe të barabartë në këto vaksina dhe solidaritet ndërkombëtar.

Covax – është skema globale e Programit të OBSH për vaksinimin kundër virusit Covid-19 në vende me të ardhura të ulëta apo të mesme, ku sipas përcaktimit të Bankës Botërore bën pjesë Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë./Burimi: DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *