Kryedemokrati Lulzim Basha shprehu mbështetjen e tij për fermerët e vendit tonë.
Këtë të mërkurë ai zhvilloi një takim me fermerët e Lekajt dhe tha se qeveria i ka lënë në harresë.
Për liderin e opozitës, pandemia e ka thelluar edhe më shumë krizën e tyre.
“Bujqësia shqiptare ka shtatë vjet në krizë të thellë. Mungesa e subvencioneve, rritja e çmimit të naftës, favorizimi i produkteve të importit e ka çuar në kolaps këtë sektor. Fermerët luftojnë me mbijetesën. Kësaj situate të vështirë i është shtuar dhe mungesa e mbështetjes në situatën e pandemisë duke e bërë gjendjen kritike. Në Lekaj, takova fermerë që mundohen me mish e me shpirt, punojnë në kushte tejet të vështira, e me borxhe për të siguruar të paktën ushqimin për familjet e tyre. Situata e vështirë në Lekaj e kudo nuk fshihet pas ngjyrave të propagandës. Edi Rama nuk mund ta fshehë përgjegjësinë dhe dështimin e tij në çdo sektor që sot ndodhet në ditën më të keqe. Dështimet, zhvatjet dhe mashtrimet e Edi Ramës po e çojnë ekonominë në krizë të thellë dhe vendin drejt kolapsit.”







