Zjarret vijojnë të jenë aktive në disa zona të Qarkut të Shkodrës, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve. Forcat operacionale kanë vijuar gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit ndërhyrjet në terren, me fokus mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e zjarreve.
Në Bardhaj–Myselim, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave, në gatishmëri për çdo riaktivizim të mundshëm.
Në Bërdicë, ndërhyrja gjatë natës bëri të mundur mbrojtjen e banesave dhe vënien e zjarrit nën kontroll. Ndërhyrje është kryer edhe në një vatër në Shtoj të Ri.
Në Vaun e Dejës, zjarri në Mnelë të Madhe vijon aktiv, ndërsa era favorizon përhapjen e tij. Forcat në terren po punojnë për mbrojtjen e zonës së banuar. Një tjetër vatër është raportuar në Naraç.
Në Pukë, situata në Malin e Tërbunit mbetet problematike. Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, me një vijë që shtrihet në mbi 10 kilometra në kurorë pyjore. Aktualisht nuk raportohen banesa në rrezik.
Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar plotësisht dhe zona po mbahet nën monitorim. Ndërkohë, në Iballë–Fierzë, zjarri vijon aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar ndërhyrjen nga toka.
Në terren vijojnë operacionet e MZSH-së, Forcave të Armatosura, Shërbimit Pyjor, Emergjencave Civile dhe strukturave vendore të mbrojtjes civile.
Prefektura e Qarkut Shkodër vijon koordinimin me strukturat vendore, AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile. Prioritet mbetet mbrojtja e qytetarëve dhe banesave, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi.





