Në raportimin e përmuajshëm para mediave, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri me dije se norma e interesit do të vijojë të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.75%.
Në vendimin e këshillit Mbikëqyrës u vendos që:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.
Më tej gjatë fjalës së tij Guvernatori Sejko theksoi se aktualisht balanca e rreziqeve për të ardhmen mbetet neutrale, por theksoi se pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj.
“Balanca e rreziqeve për të ardhmen paraqitet neutrale për momentin. Megjithatë, pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj. Vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti. Në veçanti, shkalla dhe intensiteti i materializimit të tarifave dhe barrierave tregtare mund të gjenerojnë goditje me natyrë komplekse oferte dhe kërkese, të cilat mund të kenë një ndikim potencial negativ si në rritjen ekonomike ashtu edhe në inflacion”, tha Sejko.
Fjala e plotë e Guverantorit Sejko:
Sot, më 7 maj 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë.
Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi. Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, inflacioni vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe pranë objektivit, ndërsa tregjet financiare kanë qenë të qeta dhe kreditimi për sektorin privat ka shënuar rritje.
Ky trend pozitiv zhvillimi ka pasqyruar – ndër të tjera – edhe kontributin pozitiv të politikës sonë monetare. Qëndrimi i kujdesshëm dhe proaktiv i saj, në koordinim me konsolidimin fiskal dhe konsistencë me ecurinë e kursit të këmbimit dhe zhvillimet e tregut financiar, kanë mundësuar kontrollin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe stabilitetin financiar të vendit.
Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se – në skenarin bazë – ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet me ritme solide, ndërsa inflacioni do të kthehet e do të qëndrojë në objektiv në horizontin afatmesëm.
Në këto rrethana, ndonëse pasiguria në kontekstin botëror mbetet e lartë, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.
Inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi në nivelin mesatar prej 2% në tremujorin e parë të vitit, nivel i njëjtë ky me atë të tremujorit paraardhës. Në këndvështrimin e shportës së konsumit, qëndrueshmëria e inflacionit u përcaktua nga lëvizjet e barasvlershme në kahun rënës të inflacionit të ushqimeve dhe në kahun rritës të inflacionit të naftës dhe të mallrave të konsumit afatgjatë.
Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit diktohet nga nivelet e ulëta të inflacionit të importuar, rritja e qëndrueshme e kostove dhe e çmimeve në ekonominë vendase, si dhe goditjet pozitive të ofertës së artikujve ushqimorë. Më në detaje, nivelet e ulëta të inflacionit të importuar pasqyrojnë rënien progresive të inflacionit në parterët tanë tregtarë dhe forcimin e kursit të këmbimit gjatë vitit të fundit. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e inflacionit të brendshëm, në nivele konsistente me objektivin tonë të inflacionit, pasqyron si kërkesën solide për mallra e shërbime, ashtu edhe rritjen e vazhdueshme të pagave dhe të kostove të punës. Së fundi, rritja e ofertës së produkteve bujqësore vijon ta mbajë inflacionin e ushqimeve pranë niveleve minimale të dy viteve të fundit.
Sipas të dhënave direkte e indirekte të Instat-it, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë dy tremujorëve të fundit. Viti 2024 u mbyll me një rritje ekonomike në nivelin 4%, ndërkohë që të dhënat indirekte të vitit 2025 sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme pozitive, ndonëse disi më të ngadalta se ato të vitit 2024.
Profili i rritjes ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 duket se ka mbetur i ngjashëm me atë të vitit të shkuar. Rritja ekonomike ka vijuar të pasqyrojë zgjerimin e konsumit familjar, investimeve të biznesit, dhe të ardhurave të turizmit. Rritja e konsumit dhe e investimeve të sektorit privat pasqyron bilancet e shëndosha të biznesit e të familjeve, besimin e tyre për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Nga ana tjetër, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, bilanci i shkëmbimit tregtar të mallrave pritet të ketë një kontribut negativ, ndërsa politika fiskale vijon të ruajë trajta konsoliduese. Ky profil kërkese vijon të ushqejë kryesisht zgjerimin e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë një ecuri më të ngadaltë.
Kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime vijon ta mbajë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në një treg pune të karakterizuar nga punësim në rritje, normë papunësie pranë niveleve minimale historike dhe rritje të shpejtë të pagave në sektorin privat. Në veçanti, këto të fundit u rritën me 9.5% në tremujorin e katërt të vitit të shkuar, duke ilustruar vijimin e zhbalancimeve të kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Sikundër e kemi theksuar dhe më parë, rritja e shpejtë e pagave rrit të ardhurat e familjeve shqiptare, por ajo është premisë edhe për rritjen e kostove të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit.
Tregjet financiare kanë vijuar të shfaqen të qeta gjatë muajve të parë të vitit 2025. Tregu i parasë karakterizohet nga një situatë e mirë likuiditeti, prime të reduktuara rreziku dhe kushte financiare akomoduese. Paralelisht me të, tregu valutor ka shfaqur një qëndrueshmëri më të lartë krahasuar me dy vitet e shkuara, ndonëse presionet sezonale vijojnë të jenë të pranishme. Kjo ecuri sugjeron një balancë më të mirë të kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun e brendshëm.
Ky stabilitet monetar pasqyron politikën e kujdesshme monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Reagimi konsistent dhe proaktiv i saj ndaj zhvillimeve ekonomike dhe monetare të tre viteve të fundit, ka mundësuar absorbimin e goditjes së çmimeve nga tregjet ndërkombëtare, kontrollin e inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit monetar të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, politika jonë monetare ka mundësuar një ambient financiar stimulues dhe është pasqyruar në rritje të shpejtë të kreditimit. Portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje prej 16.7% në tremujorin e parë të vitit. Rritja e kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë dhe diversifikim të lartë në përdorim, ku spikat rritja e shpejtë e kredisë për investime. Paralelisht me të, cilësia e portofolit të kredisë vijon të përmirësohet, me raportin e kredive me probleme që ka rënë në minimumin e ri historik prej 4.02%.
Përditësimi i parashikimeve sugjeron se perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe pranë potencialit, çka do të mundësojë një nivel presionesh të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Kjo ecuri do të ndihmohet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme priten të mbeten të qëndrueshme, si pasojë e rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin.
Balanca e rreziqeve për të ardhmen paraqitet neutrale për momentin. Megjithatë, pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj. Vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti. Në veçanti, shkalla dhe intensiteti i materializimit të tarifave dhe barrierave tregtare mund të gjenerojnë goditje me natyrë komplekse oferte dhe kërkese, të cilat mund të kenë një ndikim potencial negativ si në rritjen ekonomike ashtu edhe në inflacion.
***
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerët tanë të huaj tregtarë.





