Një konflikt mes tre personave ka përfunduar me një viktimë dhe dy të plagosur mëngjesin e sotëm në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ku Andri Vulaj, 25 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri Qamil Lulin, 63 vjeç, dhe djalin e tij, Ylber Lulin, 24 vjeç.
Lexo edhe :
Këta të fundit dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin Andri Vulaj, 25 vjeç.
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por Ylber Luli, 24 vjeç, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e Andri Vulajt. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohen përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë.






