Mbledhja e parlamentit zgjati më pak se dy orë dhe në mungesë të deputetëve demokratë, deputetët socialist diskutuan të vetëm për kërkesat e protestuesve. Në emër të mazhorancës, kryetari i grupit parlamentar taulant balla deklaroi se askush nuk mund ti bëjë presion parlamentit, duke theksuar se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë
“Jo sot, por çdo ditë, ky Kuvend, deri në maj të vitit 2029, do të vazhdojë ta ushtrojë mandatin që na kanë besuar qytetarët shqiptarë dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do t’i qëndrojë besnik 856.177 votave që na kanë sjellë në këtë sallë”, tha Balla.
Nga brenda sallës së kuvendit Taulant Balla komentoi protestën jashtë, duke i krahasuar protestuesit me nazistët.
“Nazizmi kështu lindi: duke sulmuar Reichstag-un, duke i vënë zjarrin parlamentit. Këta nuk kanë asnjë dallim, dhe prandaj qëndrimi i këtij Kuvendi duhet të jetë i qartë, jo i ndarë në krahë”, shtoi Balla.
Balla në fjalën e tij ndau protestuesit paqësorë nga ata që sipas tij janë jo paqësorë.
“Kam besim shumë që qytetaria e bukur e ‘bulevardit të flamingove’ do të distancohet edhe më shumë sesa e bëri dje nga dhuna e këtyre mbeturinave politike dhe sociale që kanë marrë peng protestën. Protesta nuk ka asgjë të përbashkët me këta individë kriminalë të cilët duan ta përdorin dhe po e përdorin protestën për qëllimet e tyre të pista, qëllime të interferencave të huaja.”
Partia demokratike vendosi ta bojkotoje sot parlamentin dhe deputetët e saj nuk shkuan në seancë. Shkak për bojkotin është fakti që mazhoranca nuk vendos në rendin e ditës propozimet e opozitës për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, paketës së maleve dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në atë për trashëgiminë kulturore.





