Muaji korrik ka sjellë një fluks të konsiderueshëm pushuesish në Velipojë, ku plazhi po frekuentohet nga vizitorë vendas dhe turistë të huaj.
Interesi në rritje konfirmon se kjo zonë bregdetare vijon të mbetet ndër destinacionet më të kërkuara të sezonit veror. Plazhet publike dhe shërbimet e ofruara vlerësohen pozitivisht nga pushuesit, të cilët shprehen të kënaqur me kushtet e krijuara.
Një nga investimet më të rëndësishme të këtij sezoni është vendosja e rampës që u mundëson personave me aftësi të kufizuara të kenë akses të drejtpërdrejtë në det. Ky është shërbimi i parë i këtij lloji në një plazh publik në vend dhe synon të garantojë një përvojë më të barabartë dhe më të aksesueshme për të gjithë vizitorët.
Pastërtia e plazhit, hapësirat publike të sistemuara, shërbimet dhe investimet e reja po ndikojnë në rritjen e aktivitetit të kësaj zone, duke e konsoliduar Velipojën si një nga zgjedhjet kryesore për pushimet verore.





