Bajerni i Mynihut nuk po i jep shans afrimi Borusias së Dortmundit në garën për titullin kampion.
Bavarezët fituan 5 me 2 ndaj Ajntraht Frankfurt, pak orë pasi rivalët për titullin kampion kishin korrur një sukses në fushën e Volfsburg.
Të zotët e shtëpisë nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitoren në Allianz Arena. Që në fillim ishte Leon Gorecka që zhbllokoi shifrat ndërsa Myler mendoi të dyfishonte rezultatin në fund të pjesës së parë. Bomberi Levandovski thelloi goleadën që në startin e fraksionit të dytë duke dhënë përshtypjen e mbylljes së ndeshjes.
Mirëpo Ajntraht Frankfurt befasoi duke u rikthyer në lojë me dy gola të shpejtë të shënuar nga Hintereger.
Megjithatë në minutën e 61 Deivis riktheu qetësinë tek Bajern duke çuar shifrat në 4 me 2. Pak më vonë Hintereger ishte sërish protagonist, kësaj radhe negativ për skuadrën e tij pasi shënoi një autogol që mbylli takimin në rezultatin 5 me 2.
Pas javes së 27, Bajerni kryeson me 61 pikë, duke e çuar sërish distancen në +4 pikë nga Dortmundi që është ndjekësi më i afërt.