Ekipi ligjor i Erion Veliajt reagoi këtë të mërkurë pasi kryebashkiakut të Tiranës iu komunikuan zyrtarisht akuzat që rëndojnë mbi të.
Veliaj, sipas avokatëve ndërkombëtarë po mbahet padrejtësisht në qeli, ndërkohë që të katërta akuzat që rëndojnë mbi të mohohen nga ana e kryebashkiakut.
“Z. Veliaj i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit. Ne mbetemi në bindjen se vijimi i ndalimit të z.Veliaj është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional. Kemi shqetësime serioze se kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk janë respektuar në rastin e tij. Fatkeqësisht, prej gati 3 muajsh, z.Veliaj është penguar të ketë akses tek avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja. Si një funksionar i zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilit i është pamundësuar ushtrimi i mandatit, është thelbësore që SPAK të ketë vlerësuar domosdoshmërinë e vazhdimit të ndalimit të tij. Deri më sot, nuk ka asnjë provë që kjo është bërë”, shprehen avokatët e Erion Veliajt.
Mbrojtësit ligjorë të Veliajt akuzojnë edhe SPAK-un se ka shkelur sekretin hetimor sepse detaje nga dosja dhe hetimet janë bërë publike në media.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Së fundmi, detaje në lidhje me përfundimin e hetimit dhe raportin e Prokurorisë janë rrjedhur në mediat shqiptare. Kjo rrjedhje informacioni është në përputhje me trajtimin që i është bërë z.Veliaj që prej ditës së arrestimit, ku të dhëna paragjykuese mbi hetimin e SPAK-ut janë publikuar vazhdimisht në hapësirën publike. Nga informacionet e marra prej avokatëve të tij vendas, kuptojmë se këto rrjedhje përbëjnë shkelje të sekretit hetimor sipas legjislacionit shqiptar”, deklarojnë avokatët e Erion Veliajt.
Avokatët theksojnë se beteja e tyre me drejtësinë për të liruar Erion Veliajn nga burgu do të vijojë në çdo rrugë ligjore.
/vizionplus.tv





