Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar homologun e tij kolumbian, Gustavo Petro, pas arrestimit të udhëheqësit të Venezuelës nga autoritetet amerikane. Ai paralajmëroi gjithashtu edhe Kubën, duke deklaruar se qeveria atje ka gjasa të bjerë së shpejti.
Këto deklarata të Trump, të bëra të dielën, erdhën pavarësisht protestave në rritje kundër arrestimit të Nicolás Maduros.
Brazili, Kili, Kolumbia, Meksika, Uruguai dhe Spanja dënuan veprimin e SHBA-së, duke e cilësuar atë si një “precedent të rrezikshëm për paqen dhe sigurinë rajonale”.
Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se Kolumbia dhe Venezuela ishin “shumë të sëmura” dhe se qeveria në Bogota (Kolumbi) drejtohej nga “një njeri i sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara”.
“Dhe ai nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë. Më lejoni t’ju them”, u shpreh Trump, duke iu referuar presidentit Petro.
I pyetur nëse kjo nënkuptonte një operacion amerikan kundër Kolumbisë, Trump u përgjigj: “Më duket mirë”.
Nga ana tjetër, presidenti kolumbian Gustavo Petro i kërkoi Trumpit të “ndalonte së shpifuri” ndaj tij, ndërsa u bëri thirrje vendeve të Amerikës Latine të bashkohen, përndryshe rrezikojnë të “trajtohen si shërbëtorë dhe skllevër”.
Petro theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë vendi i parë në botë që bombardoi një kryeqytet të Amerikës së Jugut në historinë e njerëzimit”, por shtoi se hakmarrja nuk është zgjidhja.
Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për unitet rajonal.
“Ne nuk shikojmë vetëm nga veriu, por në të gjitha drejtimet”, tha Petro.





